Sfidat dhe praktikat e gjithëpërfshirjes në sektorin e sigurisë në Kosovë

20/03/2020

Sfidat dhe praktikat e gjithëpërfshirjes në sektorin e sigurisë në Kosovë
E PUBLIKUAR NGA

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS)

Mbështetur nga

Canada Fund for Local Initiatives (CFLI)

AUTORË

Plator Avdiu, Shpat Balaj

Shkarko

Ky raport ofron një pasqyrë të nivelit aktual të gjithëpërfshirjes së komuniteteve jo-shumicë në PK dhe FSK. Si i tillë, ai analizon gjendjen e gjithëpërfshirjes në këto institucione dhe masat e marra për të siguruar qëndrueshmëri në proces. Për më tepër, vëmendje e veçantë i është kushtuar procesit të rekrutimit, praktikave në këtë drejtim dhe masave specifike të marra për t’i afruar komunitetet më shumë me këto institucione. Më tej, punimi ofron një pasqyrë të funksionimit të mekanizmave ekzistues të  brendshëm që mbikëqyrin dhe kontribuojnë në zhvillimin e politikave gjithëpërfshirëse. Ndër të tjera, punimi fokusohet në integritetin e pjesëtarëve nga komunitetet jo-shumicë, veçanërisht në PK dhe sfidat e paraqitura për sigurimin e integritetit.

Raporti pasqyron hulumtimin e gjerë të realizuar nga ekipi i QKSS-së në komunat kyçe me shumicë serbe në vitet e fundit, si dhe punën në terren në komunat ku banojnë komunitete të tjera jo-shumicë. Për qëllimet e këtij raporti, u organizuan dy diskutime publike në Graçanicë dhe Shtërpcë, si dhe u zhvilluan një serë intervistash sy më sy me shoqërinë civile, institucionet lokale dhe përfaqësuesit e qeverisë. Për më tepër, të dhënat parësore të raportit janë marrë zyrtarisht nga PK-ja dhe FSK-ja, ndërkohë që ekipi hulumtues ka realizuar një analizë të hollësishme të përmbajtjes së dokumenteve zyrtare, raporteve dhe kornizës ligjore përkatëse. Të dhënat e raportit mbështeten edhe në programet  ekzistuese të QKSS-së për integritetin dhe gjithëpërfshirjen në institucionet e sigurisë, konsultimet dhe takimet e vazhdueshme me ekspertë dhe përfaqësues të institucioneve, si dhe në përfshirjen e ekipit të QKSS-së në proceset përkatëse në sektorin e sigurisë në Kosovë dhe rajon.

Ky raport u prodhua me mbështetjen e Fondit të Kanadasë për Iniciativat Lokale (CFLI). Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë dhe nuk pasqyron pikëpamjet e Qeverisë së Kanadasë. Aktivitetet e projektit u zhvilluan nën asistencën e Humani Centar Mitrovica.