Rruga drejt marrëveshjes finale - Perceptimet e qytetarëve në Kosovë dhe Serbi për Dialogun Politik dhe Identitetin

1/02/2021

Rruga drejt marrëveshjes finale - Perceptimet e qytetarëve në Kosovë dhe Serbi për Dialogun Politik dhe Identitetin
E PUBLIKUAR NGA

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë dhe Qendra e Beogradit për Poltika të Sigurisë

Mbështetur nga

National Endowment for Democracy

AUTORË

Plator Avdiu, Ramadan Ilazi, Bojan Elek

Shkarko

Pas gati një dekade të këtij procesi dhe në disa raste të raportimit negativ nga mediat, qytetarët e Serbisë dhe të Kosovës duket se e mbështesin relativisht fuqishëm dialogun. Përqindja në mbështetje të dialogut është paksa e ndryshme në Kosovë dhe Serbi. Qytetarët në Kosovë duket se kanë një mbështetje më të fortë me 68 % krahasuar me qytetarët serbë me rreth 51 %. Kjo përqindje relativisht e lartë e mbështetjes për dialogun në të dy vendet sfidon supozimin e përbashkët se dialogu nuk është i popullarizuar. Kjo duket se sugjeron që qytetarët shohin vlerë dhe përfitim në procesin e dialogut. Sidoqoftë, ky supozim minohet me përqindjen shumë të lartë të qytetarëve në Kosovë (80%) dhe Serbi (90%) që nuk shohin ndonjë përfitim personal nga dialogu. Ky rezultat mund të nënkuptojë se qytetarët e shohin dialogun si përgjegjësi të elitave ose proces që ndodh në nivelin makro, duke mos ua prekur jetën atyre. Ndoshta përqindja e lartë e qytetarëve në të dyja vendet që nuk e perceptojnë dialogun me përfitime personale është manifestim i mungesës së komunikimit efektiv në lidhje me përfitimet e dialogut nga BE-ja dhe ajo çka është më me rëndësi nga qeveritë në Kosovë e Serbi.

Perceptimet negative të qytetarëve ndaj përfitimeve të dialogut duket se lidhen me perceptimet e qytetarëve për transparencën e procesit. Në Serbi, vetëm 17 % kanë thënë se e kanë njohuri për përmbajtjen e dialogut dhe e kanë konsideruar atë si transparent, kurse në Kosovë kjo shifër është edhe më e ulët prej 11 %. Në këtë kuptim, del një emërues i përbashkët për të dyja shoqëritë, pasi qytetarët në të dyja vendet duket se pajtohen që dialogut i mungon transparenca. Në Serbi, 82 % e qytetarëve janë shprehur se dialogu është pjesërisht ose aspak transparent, ndërsa në Kosovë 77 % janë deklaruar se dialogu nuk është transparent ose i mungon plotësisht transparenca. Transparenca ose sipërfaqja e saj është sfidë e qenësishme me proceset e lehtësimeve/ndërmjetësimit të mosmarrëveshjeve midis palëve. Lehtësuesit përballen me dilemën e vështirë se kur, çka dhe sa t’i zbulojnë publikut, në mënyrë që të mos prishin a krijojnë reagime të mundshme në zgjidhjet e mundshme të kompromisit.

GJETJET KRYESORE:

•Shumica e qytetarëve të Kosovës dhe të Serbisë mbështesin procesin e dialogut, megjithatë kanë perceptime diametralisht të kundërt mbi arritjet e dialogut. Derisa shumica e qytetarëve të Kosovës besojnë se qëllimi i dialogut është njohja reciproke, në Serbi ekziston perceptimi se qëllimi i këtij procesi është kthimi i Kosovës në Serbi me një autonomi më të gjerë;

•Qytetarët e Kosovës dhe të Serbisë kryesisht ndajnë perceptimet negative për procesin e dialogut, transparencën e këtij procesi dhe ndikimin e tij. Shumica e qytetarëve të Kosovës dhe të Serbisë mendojnë se dialogut i mungonte transparenca, se nuk ka ndryshuar asgjë ose se vetë qytetarët nuk kanë pasur ndonjë përfitim nga procesi. Kjo tregon për një mangësi të konsiderueshme në qasjet e komunikimit të BE-së dhe të qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë;

•Qytetarët e Serbisë janë më pak optimistë në krahasim me qytetarët e Kosovës për të ardhmen e marrëdhënieve midis dy vendeve. Shumica e serbëve nuk presin të shohin normalizimin e marrëdhënieve me shqiptarët e Kosovës pavarësisht rezultatit të dialogut;

•Perceptimi i qytetarëve për dialogun Kosovë-Serbi mbase sugjeron që ata nuk e shohin procesin si normalizim midis shoqërive të të dyja vendeve, por më parë si normalizim midis institucioneve shtetërore. Marrëveshjet dhe arritjet në dialogun e Brukselit nuk duket se do të përkthehen njëlloj edhe në shoqërinë si të tërë. Me fjalë të tjera, marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që do të shërbente për arritjen e normalizimit, nuk do të nënkuptojë të njëjtën gjë për qytetarët në të dyja vendet. Andaj, procesi i normalizimit të marrëdhënieve nuk duhet të zëvendësojë domosdoshmërinë e qartë që tregojnë këto rezultate për një proces pajtimi dhe shërimi midis popujve të Serbisë dhe Kosovës.

Shkarko: STAVOVI GRAĐANA NA KOSOVU I U SRBIJI O POLITIČKOM DIJALOGU I IDENTITETU

Ky raport është publikuar në kuadër të projektit rajonal "Barometri i sigurisë për Ballkanin Perëndimor" i mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED).  Pikëpamjet e paraqitura në këtë raport janë perceptimet e të anketuarve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë dhe të Qendrës së Beogradit për Politika të Sigurisë. Opinionet e shprehura në këtë raport nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e National Endowment for Democracy (NED).