24/05/2024
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë
Alban Dafa
Pastrimi i parave është një fazë thelbësore e ciklit të krimit, pasi mundëson rifutjen dhe ripërdorimin e parave të fituara në mënyrë të jashtëligjshme në ekonominë e ligjshme. Kësisoj, politikat për parandalimin e pastrimit të parave të fituara në mënyrë të jashtëligjshme përbëjnë një prej mekanizmave kyçe të parandalimit të krimit dhe korrupsionit.
Kosova ka bërë hapa të rëndësishme në hartimin e politikave të parandalimit të pastrimit të parave, ngritjen e infrastrukturës institucionale për këtë qëllim, si dhe zbatimin e masave për të identifikuar prirjet e pastrimit të parave dhe për të parandaluar riqarkullimin e parasë të fituar në mënyrë të jashtëligjshme. Pas miratimit të Ligjit për Parandalimin dhe Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit1 (më tutje “Ligji për Parandalimin e Pastrimit të Parave”) në vitin 2016, Njësia e Inteligjencës Financiare, Policia e Kosovës, Prokuroria e Shtetit, Dogana e Kosovës, Adminsitrata Tatimore e Kosovës dhe institucione të tjera të sundimit të ligjit e kanë rritur bashkëpunimin për identifikimin, hetimin dhe ndëshkimin e rasteve të pastrimit të parave.
Në këto përpjekje, Kosova është duke u ndihmuar me ekspertizë prej programit PECK (Project against Economic Crime in Kosovo) III të Këshillit të Evropës dhe programit SAEK (Support to Anti-Corruption Efforts in Kosovo) të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP). Ndihma e tyre shtrihet prej ofrimit të trajnimeve tematike deri te ofrimi i asistencës teknike për hartimin e dokumenteve teknike – p.sh. për vlerësimet e riskut dhe tipologjive të pastrimit të parave – dhe strategjike – p.sh. Strategjia Kombëtare e Republikës së Kosovës për Parandalimin dhe Luftimin e Ekonomisë Jo-formale, Pastrimin e Parave, Financimin e Terrorizmit dhe Krimeve Financiare 2019-2023 (më tutje “Strategjia”)2.
Një prej qëllimeve specifike të Strategjisë është edhe ndërgjegjësimi i shoqërisë civile për rrezikun për sigurinë dhe mirëqënien që paraqet pastrimi i parave. E megjithatë, duket se ndërgjegjësimi i shoqërisë civile është parë kryesisht i lidhur me mospranimin dhe denoncimin e dukurisë së pastrimit të parave prej saj. Rrjedhimisht, ka pak ose aspak angazhim nga shoqëria civile në monitorimin dhe vlerësimin e përpjekjeve për ngritjen e mekanizmave ligjore dhe institucionale për të parandaluar pastrimin e parave.
Kontributi i shoqërisë civile në këtë fushë të politikave publike nuk duhet të jetë ndryshe prej angazhimeve të shoqërisë civile në politikat e parandalimit të korrupsionit dhe integritetit të administrates publike. Ashtu sikurse kërkon llogari dhe efektshmëri për hartimin dhe zbatimin e politikave të sundimit të ligjit dhe parandalimit të korrupsionit, shoqëria civile duhet të kërkojë llogari dhe të ndihmojë përpjekjet për hartimin dhe zbatimin e efektshëm të politikave të parandalimit të pastrimit të parave.
Roli i shoqërisë civile në këtë drejtim bëhet edhe më i rëndësishëm duke qenë se prej vitit
1 Ligji Nr. 05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=12540
2 Ministria e Financave, Strategjia Kombëtare të Republikës së Kosovës për Parandalimin dhe Luftimin e Ekonomisë Jo-formale, Pastrimin e Parave, Financimin e Terrorizmit dhe Krimeve Financiare 2019-2023 (Prishtinë: Ministria e Financave, 2019), https://mfpt.rks-gov.net/.
2018 nuk ka patur monitorim dhe vlerësim të pavarur të politikave të parandalimit të pastrimit të parave.3 Ky punim synon kryejë një vlerësim paraprak të këtyre politikave. Ai nuk synon të vlerësojë efektshmërinë apo suksesin e tyre, por të identifikojë probleme të cilat lidhen me (i) koordinimin ndërinstitucional, (ii) koherencën e politikave të shprehura në kuadrin rregullator, si dhe (iii) zbatimin e masave të parandalimit të pastrimit të parave. Përzgjedhje e këtyre çështjeve bazohet në tërësi mbi rekomandimet e FATF (Financial Action Task Force ose Grupi i Punës për Veprimin Financiar)4, por qëllimi i punimit është më tepër të ofrojë një pamje të përgjithshme të zhvillimeve në këtë fushë politikash se sa të kryejë një vlerësim rigoroz mbi përthpueshmërinë e masave të marra nga institucionet e Kosovës për përmbushjen e rekomandimeve të FATF. Hulumtimi për këtë punim mbështetet në rishikimin e legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave, raportet të Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian, raportet dhe të dhënat e institucioneve publike të Kosovës, si dhe mbi intervistat e kryera me përfaqësues të shoqatave profesionale të subjekteve ekonomike të cilat kanë detyrime për raportimet e veprimtarive financiare të dyshimta. Punimi përmbyllet me disa rekomandime për t’u marrë në konsideratë prej institucioneve përgjegjëse për hartimin dhe zbatimin e politikave të parandalimit të pastrimit të parave.