Perspektiva Rajonale: Si Qëndrojnë Vendet e Ballkanit Perëndimor në Mbrojtjen e Infrastrukturës Kritike?

18/12/2023

Perspektiva Rajonale: Si Qëndrojnë Vendet e Ballkanit Perëndimor në Mbrojtjen e Infrastrukturës Kritike?
E PUBLIKUAR NGA

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë

AUTORË

Jon Limaj

Shkarko

Ky raport trajton mjedisin e infrastrukturës kritike në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, përkatësisht: Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Bosnje dhe Hercegovinën, Serbinë dhe Kosovën. Raporti analizon dobësitë kryesore të rajonit në lidhje me mbrojtjen e infrastrukturës kritike, të formësuara nga faktorë të tillë si tensionet etnike, konfliktet historike, ndryshimet demografike dhe sfidat mjedisore.

Raporti identifikon llojet kryesore të infrastrukturës kritike thelbësore për zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin social të rajonit: energjinë, transportin, telekomunikacionin, ujin dhe kanalizimet, kujdesin shëndetësor dhe shërbimet emergjente. Megjithatë, nënvizon mungesën e mirëmbajtjes, masave mbrojtëse dhe koordinimit, duke e lënë infrastrukturën të hapur ndaj rreziqeve të mundshme.

Duke analizuar kornizën e politikave, nxjerr në pah ngjashmëritë midis Bashkimit Evropian (BE) dhe Ballkanit Perëndimor (BP). Në vijim të zhvillimit të strategjive të qëndrueshmërisë pas sulmeve të 11 shtatorit, BE-ja ka vendosur një fokus të fortë në garantimin e sigurisë së infrastrukturave kritike. Vendet e Ballkanit Perëndimor, në procesin e anëtarësimit në BE, kanë nënshkruar një Plan të Përbashkët Veprimi për Luftë Kundër Terrorizmit, duke u përafruar me standardet e BE-së. Pavarësisht dallimeve në përkufizimin e infrastrukturës kritike në vendet e Ballkanit Perëndimor, po bëhen përpjekje në vazhdimësi për të krijuar sisteme efikase të mbrojtjes.

Analiza e ligjeve të shteteve përkatëse zbulon se katër vende të Ballkanit Perëndimor: Kosova, Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia, kanë miratuar ligje të veçanta për infrastrukturën kritike, derisa në Bosnje dhe Hercegovinë ekziston një ligj përkatës vetëm në nivel entiteti, por jo në nivel shtetëror. Në përgjithësi, ata po ndjekin trajektoren e BEsë për Mbrojtjen e Infrastrukturës Kritike. Maqedonia e Veriut është në proces të hartimit të ligjit për Infrastrukturë Kritike. Duke vlerësuar progresin e bërë, raporti thekson nevojën për bashkëpunim të vazhdueshëm politik dhe profesional për të harmonizuar metodologjitë e mbrojtjes së Infrastrukturës Kritike në Ballkanin Perëndimor.

Analizat tregojnë se sa e rëndësishme është për shtetet e Ballkanit Perëndimor të mbrojnë infrastrukturën e tyre kritike. Përderisa Ballkani Perëndimor punon drejt anëtarësimit në BE, është thelbësore të vendosen sisteme të forta mbrojtjeje. Këto masa luajnë një rol kyç në nxitjen e rritjes ekonomike, ruajtjen e stabilitetit social dhe rritjen e qëndrueshmërisë së përgjithshme.