2/11/2023
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë
Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’
Adelina Hasani
Kosova ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në përmirësimin e përfaqësimit politik të grave duke zbatuar kuota gjinore për të rritur praninë e grave në të gjitha institucionet e saj shtetërore. Miratimi Ligjit për Barazinë Gjinore në Kosovë në muajin maj 2015, shënoi një moment historik vendimtar në forcimin e kuadrit ligjor të vendit për promovimin e barazisë gjinore.
Megjithatë, përkundër progresit, Kosova ende përballet me sfida të shumta të barazisë gjinore, veçanërisht në sferën e pozitave udhëheqëse të grave, pjesëmarrjes së barabartë politike dhe ndaljes së dhunës ndaj grave. Mentaliteti patriarkal, diskriminimi dhe stereotipet kanë paraqitur barriera domethënëse për përfshirjen e grave në vendimmarrje në të gjitha nivelet, përfshirë edhe sektorin e sigurisë. Përkundër disa përmirësimeve të dukshme, rrugëtimi drejt rritjes së përfaqësimit të grave në Policinë e Kosovës është çështje ende duke vazhduar.
Megjithatë, në shumë vende, po ashtu edhe në Kosovë, politikat dhe programet e sektorit të sigurisë kanë dështuar të analizojnë në mënyrë adekuate nevojat dhe prioritetet e sigurisë së grave dhe të përfshijnë gratë dhe burrat në mënyrë të barabartë duke integruar perspektivën gjinore. Në raste të tilla, institucionet e sigurisë kanë boshllëqe të barazisë dhe mund të mos jenë në gjendje të ofrojnë siguri për të gjithë anëtarët e komunitetit. Përpjekjet që synojnë integrimin e perspektivës gjinore në
politikat dhe praktikat e sektorit të sigurisë janë fokusuar kryesisht në përfaqësimin e grave në këto institucione dhe jo në nevojat e tyre specifike.
Të dhënat e realizuara tregojnë se politikat e Kosovës kanë demonstruar përpjekje të konsiderueshme për të përmirësuar perspektivën gjinore brenda Policisë së Kosovës. Megjithatë, sfidat vazhdojnë, që rrjedhin nga faktorë të tillë si pjesëmarrja e kufizuar e grave në rolet menaxheriale dhe vendimmarrëse, dominimi tradicional i burrave, mendësia patriarkale dhe nevoja për integrim gjithëpërfshirës të perspektivave gjinore në të gjitha ligjet dhe rregulloret që rregullojnë Policinë e Kosovës.
Ky raport nxjerr në pah dhe analizon sfidat kryesore të grave në Policinë e Kosovës nga këndvështrimi i grave police. Çështjet e grave shpesh nuk trajtohen si prioritet dhe nuk marrin vëmendjen e duhur. Përmes këtij raporti, ne do të shqyrtojmë mjedisin e punës për gratë në Policinë e Kosovës, sfidat kryesore me të cilat ballafaqohen, çështjet e pazgjidhura që nuk janë marrë seriozisht, politikat që duhet të promovojnë diversitetin gjinor dhe ndikimin dhe kontributin e grave në sektorin e sigurisë.
Raporti përdor një metodologji cilësore dhe mbështetet në intervista gjysmë të strukturuara me gra me përvojë dhe të pozitave të larta në Policinë e Kosovës. Këto intervista janë fokusuar në marrjen e njohurive për mjedisin e punës, ndjeshmërinë gjinore brenda institucioneve të sigurisë dhe sfidat kryesore me të cilat ballafaqohen gratë në këtë sektor. Përveç kësaj, ne kemi realizuar shtatë fokus grupe me gra në Policinë e Kosovës të cilat nuk mbajnë pozita të larta. Qëllimi është të analizohen dhe të kuptohen dinamikat dhe faktorët që pengojnë avancimin e grave në pozitat më të larta brenda Policisë së Kosovës. Këto fokus grupe janë organizuar në Prizren, Prishtinë, Mitrovicë, Gjilan, Gjakovë, Ferizaj dhe Pejë. Përmes këtyre fokus grupeve, ku kemi mbledhur informacione gjithëpërfshirëse për mjedisin e punës dhe integrimin gjinor në Policinë e Kosovës.
Zhvillimi dhe publikimi i këtij dokumenti është mbështetur nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut. Përmbajtja e këtij dokumenti është përgjegjësi e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) dhe jo domosdo ato të KCSF, SDC, Suedia apo Luksemburgu.