25/05/2021
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS)
Ambasada e Mbretërisë Holandeze në Prishtinë
Skender Perteshi & Shpat Balaj
Ky raport ofron një përmbledhje të perceptimeve të qytetarëve të Kosovës mbi ekstremizmin e dhunshëm. Raporti përqendrohet veçmas në pikëpamjet e tyre mbi riatdhesimin e qytetarëve të Kosovës nga fushëbetejat e Shtetit Islamik në Siri dhe Irak, si dhe perceptimin e qytetarëve mbi përpjekjet e institucioneve dhe OShC-ve në lidhje me riintegrimin dhe rehabilitimin e të kthyerve dhe familjeve të tyre. Raporti, me paraqitje të analizave cilësore dhe sasiore, ofron të dhëna të dorës së parë, të mbledhura në terren përmes hulumtimeve të gjera të QKSS. Të dhënat kryesore që formësojnë aspektin cilësor të raportit rrjedhin nga diskutimet me komunitetet lokale në tetë komuna të Kosovës, të organizuara nga QKSS në kuadër të projektit Ndërtimi i Qëndrueshmërisë: Komunitetet kundër Ekstremizmit të Dhunshëm. Nga ana tjetër, rezultatet sasiore rrjedhin nga Barometri Kosovar i Sigurisë së Kosovës (BKS), program i QKSS që mat opinionin publik për çështje të ndryshme të lidhura me sigurinë.
Rreth 403 qytetarë të Kosovës janë bashkuar me Shtetin Islamik dhe organizatat e tjera terroriste që të krijojnë “Kalifatin Islamik” në Siri dhe Irak. Që nga viti 2012, rreth 250 qytetar të Kosovës janë kthyer ose riatdhesuar nga zonat e konfliktit dhe aktualisht po kalojnë nëpër programe rehabilitimi dhe risocializimi, të implementuara nga institucionet e Kosovës dhe organizatat e shoqërisë civile. Ky raport u frymëzua nga hulumtimet e fundit shkencore mbi riintegrimin dhe rehabilitimin e luftëtarëve të huaj dhe anëtarëve të familjeve së tyre, të lidhur me Shtetin Islamik dhe organizata të ngjashme terroriste, të cilat pohojnë se familjet e të kthyerve dhe komuniteti në përgjithësi janë thelbësore për rehabilitimin e të kthyerve nga zonat e konfliktit.
Përmes këtij raporti, QKSS synon ta testojë këtë hipotezë duke hulumtuar përgjigjen e komunitetit ndaj luftëtarëve të huaj dhe familjeve të tyre në Kosovë. Të dhënat tona të mbledhura në gjithë Kosovën, si në zonat e prekura nga ekstremizmi i dhunshëm ashtu edhe në ato të paprekura, tregojnë se publiku ngurron dhe i reziston kthimit të ish-luftëtarëve terroristë (ILT) në mesin e vet, por është dukshëm më i hapur për të pranuar gratë dhe fëmijët e riatdhesuar në komunitetin përkatës. Përkundër themelimit së programeve të rehabilitimit dhe ri-integrimit në Kosovë, qytetarët e Kosovës mbeten skeptikë rreth kapaciteteve të institucioneve për të zbatuar programe të tilla me sukses, duke dëmtuar potencialisht çdo përpjekje institucionale që synon adresimin e kësaj dobësie. Siç argumenton ky raport, qytetarët e Kosovës mbeten kryesisht të painformuar dhe të pasigurt në lidhje me përpjekjet e vazhdueshme për të adresuar ekstremizmin e dhunshëm dhe pasojat e tij në Kosovë. Për më tej, ky raport riafirmon faktin se transparenca dhe komunikimi rreth programeve të riintegrimit mbeten elemente kyçe për të ndryshuar qëndrimin e përgjithshëm të shoqërisë Kosovare karshi të kthyerve. Në përgjithësi, ky raport tregon se qytetarët e Kosovës mbeten vigjilentë dhe i perceptojnë llojet e ndryshme të ekstremizmit të dhunshëm si kërcënim të vazhdueshëm për sigurinë kombëtare të vendit.
Pikëpamjet e paraqitura në këtë raport janë përmbledhje e informacionit të mbledhur nga aktivitetet në terren të QKSS dhe të anketuarit e sondazhit “Barometri i Sigurisë së Kosovës”. Gjetjet tregojnë se si qytetarët perceptojnë ose informohen për çështjet e paraqitura në këtë raport. Pikëpamjet e paraqitura në këtë raport nuk përfaqësojnë detyrimisht pikëpamjet e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë ose të Ambasadës së Mbretërisë së Holandës në Kosovë.