13/11/2024
Fondacioni Konrad Adenauer (KAS) në Kosovë
Fondacioni Konrad Adenauer (KAS) në Kosovë
Adelina Hasani
Ky raport trajton sfidat e sigurisë kombëtare të Kosovës, duke i analizuar ato nga perspektiva vendore dhe ndërkombëtare brenda kornizës së Bashkimit Evropian. Ai shqyrton perceptimet e qytetarëve të Kosovës për sigurinë kombëtare dhe ndikimin e mundshëm të integrimit evropian në peizazhin e sigurisë së vendit. Duke u mbështetur në të dhënat e anketës së fundit, raporti shqyrton se si e shohin qytetarët rolin e mekanizmave të BE-së në rritjen e sigurisë kombëtare të Kosovës dhe vlerëson efektivitetin e institucioneve të vendit në përgjigjen ndaj kërcënimeve aktuale të sigurisë..
Siguria kombëtare e Kosovës ndikohet shumë nga konflikti i saj i pazgjidhur me Serbinë, ndërkohë që kjo e fundit ende refuzon të njohë pavarësinë e Kosovës. Serbia në mënyrë aktive minon pozitën ndërkombëtare të Kosovës duke lobuar kundër anëtarësimit të saj në organizata si INTERPOL dhe UNESCO. Kjo rezistencë jo vetëm që dobëson sigurinë kombëtare të Kosovës dhe pengon integrimin e saj të plotë në sistemin ndërkombëtar, por edhe pengon përparimin e saj drejt anëtarësimit në BE.
Ringjallja e nacionalizmit etnopolitik përbën një kërcënim të madh për sigurinë në Kosovë. Tensionet e vazhdueshme etnike ndërmjet shumicës shqiptare dhe pakicës serbe, veçanërisht në pjesën veriore të Kosovës, vazhdojnë të minojnë stabilitetin kombëtar. Nacionalizmi etnopolitik, i cili nxiti konfliktet në Ballkan të viteve 1990-ta, mbetet një forcë destabilizuese. Në Kosovë, çështjet e pazgjidhura të pasluftës, siç është mohimi i krimeve të luftës nga Serbia dhe mungesa e drejtësisë tranzicionale, kanë mundësuar vazhdimin e ideologjive radikale.
Për Kosovën, anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk është vetëm çështje e integrimit politik dhe ekonomik, por edhe komponent kritik i strategjisë së saj të sigurisë kombëtare. Anëtarësimi në BE shihet si jetik për nxitjen e stabilitetit përmes promovimit të shtetit të së drejtës, qeverisjes demokratike dhe të drejtave të njeriut, të cilat që të gjitha janë thelbësore për ndërtimin e një shteti të sigurt dhe të qëndrueshëm, të aftë për të adresuar kërcënimet e brendshme dhe të jashtme. Sipas Anketës Omnibus të shtatorit 2024, 59,5% e të anketuarve e konsiderojnë anëtarësimin në BE si vendimtar për garantimin e sigurisë kombëtare të Kosovës.
Sulmi terrorist i Banjskës në shtator 2023, i cili rezultoi me viktima dhe rriti rrezikun e konfliktit ndëretnik, paraqet kërcënimin më serioz të sigurisë për Kosovën që nga pavarësia e saj. Ky sulm jo vetëm që acaroi edhe më tej marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por gjithashtu rrezikoi dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe stabilitetin e gjerë të Ballkanit Perëndimor.
Rusia ka luajtur një rol të rëndësishëm në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor, kryesisht duke përdorur fushata të dezinformimit për të shfrytëzuar tensionet etnike në Kosovë. Refuzimi i Rusisë për të njohur pavarësinë e Kosovës dhe përpjekjet e saj propagandistike në rajon, që synojnë diskreditimin e institucioneve kosovare dhe nxitjen e ndjenjës antiperëndimore, paraqesin sfida serioze për sigurinë e Kosovës.
Ndërsa procesi i integrimit në BE konsiderohet gjerësisht si vendimtar për rritjen e sigurisë kombëtare të Kosovës, Anketa Omnibus e shtatorit 2024 nxori në pah opinione të përziera mbi efektivitetin e mekanizmave të BE-së në adresimin e kërcënimeve të sigurisë. Të anketuarve iu paraqitën pesë opsione, duke filluar nga kënaqshmëria e plotë (1) deri te pakënaqësia e plotë (5). Vetëm 7.1% besojnë se BE-ja është duke i adresuar plotësisht këto shqetësime, 16.7% dhanë vlerësime pak pozitive (2 nga 5), 29.6% e vlerësuan performancën si të moderuar (3 nga 5), dhe grupi më i madh i tyre, 38.2%, shprehën pakënaqësi (4 nga 5). Ndërkohë, 8.4% mendojnë se BE-ja nuk po i trajton fare çështjet e sigurisë dhe 10.8% të tjerë ishin të pasigurt ose refuzuan të përgjigjen.
Ky botim u mbështet nga Konrad-Adenauer-Stiftung (KAS). Pikëpamjet e shprehura nuk pasqyrojnë detyrimisht pikëpamjet e Konrad-Adenauer-Stiftung. Ky botim i i Konrad-Adenauer-Stiftung është menduar vetëm për qëllime informacioni. Ai nuk mund të përdoret nga partitë politike ose nga fushatat ose mbështetësit e zgjedhjeve për qëllime të reklamimit në zgjedhje. Kjo vlen për zgjedhjet federale, shtetërore dhe lokale, si dhe zgjedhjet për Parlamentin Evropian.