29/11/2016
Vendet që aspirojnë anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) duhet të kenë marrëdhënie të mira fqinjësore. Marrëdhëniet e shëndosha ndërshtetërore kontribuojnë drejt përmirësimit të sigurisë dhe bashkëpunimit rajonal. Në kontekstin e Ballkanit perëndimor, bashkëpunimi policor konsiderohet si një ndër aspektet më të rëndësishme meqë i shërben paqes dhe stabilitetit. Andaj, anëtarësimi në BE është i kushtëzuar, mes të tjerash, edhe me përmirësimin e bashkëpunimit multilateral dhe bilateral. Përparimi në këtë drejtim matet përmes mekanizmave të ndryshëm që janë përcaktuar nga BE-ja dhe nga organizatat e tjera ndërkombëtare. Edhe pse, në përgjithësi, ka pasur një avancim në bashkëpunimin bilateral dhe multilateral përmes nismave rajonale, prapë se prapë ka mbetur një hendek i madh në këtë drejtim për shkak të bashkëpunimit të kufizuar në fushën e sigurisë mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo gjendje vjen kryesisht prej faktorëve politik, pra refuzimit të Serbisë që ta njohë Kosovën, dhe prej veprimeve që i merr për ta penguar përfaqësimin e saj në sistemin ndërkombëtar. Kjo bëhet në kundërshtim me marrëveshjet e arritura, dhe e lë në hije mundësinë e bashkëpunimit në fushën e sigurisë. Për më tepër, kundërshtimi i vazhdueshëm që ta njeh zyrtarisht Kosovën si një shtet sovran nuk duhet të shërbejë si pengesë në bashkëpunimin policor meqë kjo është në të mirën e të dyja vendeve dhe të të dy popujve.
Ky raport merret me analizimin e bashkëpunimit të kufizuar dhe të ndërmjetësuar mes Kosovës dhe Serbisë. Qëllimi parësor i tij është që ta ngrejë zërin për një bashkëpunim të plotë, duke e pasur në mendje natyrën e përbashkët të sfidave ndërkufitare dhe kushtëzimin e BE-së, posaçërisht për Serbinë. Të dhënat për këtë raport janë mbledhur kryesisht përmes analizimit të materialeve të ndryshme, analizimit të bazës së gjerë ligjore, të raporteve dhe të artikujve të ndryshëm vendor, rajonal dhe ndërkombëtar. Po ashtu, janë realizuar një varg intervistash në terren me persona kyç. Personat e intervistuar ishin kryesisht përfaqësues të institucioneve të Kosovës, të Policisë së Kosovës dhe të misioneve ndërkombëtare të pranishme në Kosovë. Ka qenë e vështirë qasja në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, gjersa edhe më i vështirë ishte komunikimi me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë.
Ky botim është përkrahur nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS). Të gjitha pikëpamjet e shprehura në këtë botim janë vetëm të Qendrës Kosovare për Studimet të Sigurisë dhe të autorit, dhe nuk i paraqesin ato të KFOS-it apo të partnerëve të tjerë të QKSS-së.