“Nyja e Gordianit: Pengesat e Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare të sigurisë - Rasti i INTERPOL-it”

2/11/2016

“Nyja e Gordianit: Pengesat e Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare të sigurisë - Rasti i INTERPOL-it”
E PUBLIKUAR NGA

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS)

AUTORË

Leonora Aliu, Plator Avdiu

Shkarko

Përpjekjet e institucioneve të Kosovës në funksion të anëtarësimit të vendit në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare të sigurisë, me theks të veçantë në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale – INTERPOLkanë nxjerrë në sipërfaqe se ato nuk kanë qenë të suksesshme deri më tash. Pothuajse që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës (17 shkurt 2008) angazhimi i institucioneve kosovare ka ngelur më tepër në kufijtë e deklarimeve politike sesa të veprimeve konkrete për anëtarësim në organizatat rajonale e ndërkombëtare të fushës së sigurisë. institucionet përkatëse të Kosovës nuk kanë dëshmuar vendosmëri politike për të vendosur marrëdhënie zyrtare dhe të drejtpërdrejta me INTERPOL-in, derisa urë lidhëse vazhdon të mbetet misioni i unmiK-ut. \

Pjesa e parë e këtij hulumtimi trajton kontekstin e përfaqësimit dhe anëtarësimit të Kosovës në nismat rajonale dhe evropiane të sigurisë si dhe bashkëpunimin policor të Kosovës me shtetet tjera. Në këtë pjesë shqyrtohet rëndësia e anëtarësimit të Kosovës në këto nisma, sfidat e deritashme dhe roli i marrëveshjes së Brukselit për bashkëpunim rajonal mes Kosovës dhe Serbisë. Ndërkaq, pjesa e dytë e raportit analizon mundësitë, pengesat dhe përparësitë e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL. marrëdhëniet e Kosovës me INTERPOL-in, të cilat zhvillohen në mënyrë të tërthortë përmes uNmiK-ut, mosbashkëpunimi në nivel të duhur ndërmjet institucioneve kosovare për anëtarësim në INTERPOL, pengesat nga Serbia dhe aleatët e saj për të bllokuar Kosovën të anëtarësohet në INTERPOL, si dhe mbështetja e këtij procesi nga shtetet përkrahëse të Kosovës përbëjnë një pjesë të rëndësishme të kësaj pjese.

Për të avokuar dhe ofruar zgjidhjet për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, ky hulumtim ka propozuar dy skenarë që do të mund ta shpinin Kosovën drejt anëtarësimit në INTERPOL. Në skenarë jepen arsyet për nevojën e menjëhershme të Kosovës për anëtarësim në INTERPOL me qëllim të zbatimit të ligjit, si dhe parandalimit e luftimit të krimeve që tejkalojnë kufijtë shtetërorë, ku Kosova mund të jap kontributin e saj. Raporti, gjithashtu, përmban një pako me rekomandime konkrete në drejtim të përfaqësimit dhe anëtarësimit të Kosovës në organizatat rajonale e ndërkombëtare të sigurisë, me theks të veçantë në INTERPOL.