12/11/2020
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë
Fulbright Fellowship, U.S. Department of State
Elis Vllasi
Pasojat e referendumit të vitit 2016 në Mbretërinë e Bashkuar për daljen nga Bashkimi Evropian (Brexit) dhe zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara (SHBA) e kanë nxjerrë në plan të parë të politikës ndërkombëtare çështjen e operacioneve të ndikimit rus. Befasia më e madhe nuk ishte përfshirja e Rusisë, por sa të papërgatitura ishin SHBA-të dhe Mbretëria e Bashkuar për t’iu kundërvënë këtyre sfidave. Në SHBA, ligjvënësit kyç republikanë as që donin të kishin lidhje me nismën e përbashkët të të dy partive për ta dënuar ndërhyrjen ruse, ndërkohë që administrata e Obamës ishte e shqetësuar se një përgjigje e fortë do të shihej si ndihmë ndaj fushatës presidenciale të Hillari Klintonit, kurse Donald Trumpi do të deklaronte se konstatimet e 17 agjencive të inteligjencës të SHBA-ve që tregonin ndërhyrjen ruse, janë të pasakta. 1 Edhe vetë publiku u tregua shumë i ndikueshëm nga manipulimi rus, me 47% të republikanëve që besonin se Rusia nuk qëndronte prapa ndërhyrjeve në zgjedhje. 2 Në rastin e Mbretërisë së Bashkuar dhe Brexit-it, një raport i vitit 2020 nga Komisioni Parlamentar për Inteligjencë dhe Siguri tregon se qeveria e Mbretërisë së Bashkuar e “nënvlerësoi keqazi” kërcënimin rus dhe refuzoi ta hetojë ndërhyrjen ruse. Këto dy raste të ndikimit rus ngrenë një pyetje të rëndësishme: nëse vendet më të përparuara të botës nuk i kuptojnë plotësisht objektivat, aktorët dhe shtigjet e ndikimit rus, madje nuk janë në gjendje të mbrohen në mënyrë efektive prej tij, si mund të shpresohet që vende më të vogla, si Kosova, ta zbërthej ndikimin rus brenda vendit?
Mohim i përgjegjësisë: Ky hulumtim u sponsorizua përmes një Burse Fulbright, nga Departamenti i Shtetit i SHBA-ve, dhe u realizua me asistencën e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (në rolin e institucionit nikoqir). Gjetjet, pikëpamjet dhe opinionet e paraqitura në këtë raport janë vetëm ato të autorit dhe nuk përfaqësojnë në asnjë mënyrë opinionet, pikëpamjet ose pozicionet e politikave të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve - Programi Fulbright, Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Institutit Purdue për Hulumtim të Politikave, ose Universitetit Purdue.