6/10/2011
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS)
Mentor VRAJOLLI, Sofije KRYEZIU
Ky raport ka për qëllim që të demonstroj nevojën e zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në Kosovë. Rëndësia e implementimit të këtij ligjit qëndron në faktin se ky ligj është i ndërlidhur drejtpërsëdrejti me fusha tejet të rëndësishme si: mbrojtja e të drejtave të njeriut, e drejta penale dhe ajo e procedurës penale, anti-korrupsioni, telekomunikacioni, regjistrimi civil, sektori privat si dhe me fusha tjera të rëndësishme të ndërlidhura me mbrojtjen e të dhënave personale. Në këtë raport janë ngritur shqetësime të konsiderueshme në lidhje me implementimin e legjislacionit në këtë fushë. Po ashtu, raporti ka vërejtur se mungon harmonizimi i legjislacionit që rregullon këtë fushë me legjislacionin tjetër ndërlidhës. Kjo për shkak se një pjesë e legjislacionit përcjellës është nxjerrur para miratimit të këtij ligji, gjë që lë hapsirë për kundërthënje sa i përket harmonizimit me fushën e mbrojtjes së të dhënave personale. Raporti nënvizon po ashtu se disa procese tejet të rëndësishme të koleksionimit të dhënave personale janë ndërmarrë vitin e fundit pa marrë në konsideratë Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, edhe pse ky ligj ishte në fuqi. Andaj, qëllim kryesor i këtij raporti është nxitja e akterëve kryesor si dhe i opinionit publik që të ndërmarrë masat e domosdoshme në implementimin sa më të shpejtë të legjislacionit në këtë fushë. Një gjë e tillë gjenë edhe më tepër shtytje sidomos kur dihet se vetëm një numër i vogël i zyrtarëve që punojnë në administratë publike apo në institucione private të thirrura në mbledhjen dhe ruajtjen e të dhënave personale kanë njohuri për ekzistimin e këtij ligji. Raporti po ashtu ka për qëllim që të shërbej si identifikues i problemeve në fushën e të dhënave personale për Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale – (e cila sapo është formuar dhe është përgjegjëse për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale) dhe është në funksionalizim e sipër.
Ky dokument i shkurtër i politikave u përgatit në kuadër të programit TRAIN (Think Tanks Providing Research and Advice through Interaction and Networking) të Këshillit Gjerman për Marrëdhëniet e Jashtme.
QKSS falenderon Fondacionin për Shoqëri të Hapur – “Think Tank Fund” për mbështetjen e ofruar në mundësimin e fuqizimit të kapaciteteve dhe aftësive të hulumtuesve të QKSS-së.