Manuali i Sigurisë Kibernetike për Organizatat e Shoqërisë Civile

27/11/2023

Manuali i Sigurisë Kibernetike për Organizatat e Shoqërisë Civile
E PUBLIKUAR NGA

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë

AUTORË

Jon Limaj, Vesa Kroci, Donika Elshani

Shkarko

Zhvillimi i hovshëm i teknologjisë në mbarë botën ka bërë që sfera digjitale të bëhet element gjithnjë e më integral i shoqërive moderne bashkëkohore. Këto avancime teknologjike kanë ndikuar thellësisht në mënyrën se si njerëzit jetojnë, punojnë, komunikojnë dhe kryejnë shërbime nëpërmjet rrjetit global online. Organizatat e shoqërisë civile nuk bëjnë përjashtim në këtë aspekt. Këto të fundit po mbështeten gjithnjë e më shumë në mjete të ndryshme digjitale për t’i kryer operacionet e tyre të përditshme në mënyrë më efikase dhe më të qëndrueshme. Me zhvillimin e platformave dhe aplikacioneve të ndryshme sociale dhe digjitale, organizatat e shoqërisë civile kanë mundësi të komunikojnë në mënyrë të shpejtë dhe efikase me qytetarët, donatorët dhe përkrahësit e tyre në nivel lokal dhe global. Zhvillimi i këtyre teknologjive gjithashtu ka sjellë mundësi të reja për OJQ-të në fushën e aktivizmit dhe ndikimit politik, duke ua mundësuar atyre të organizojnë fushata ndërgjegjësimi dhe t’i promovojnë kauzat e tyre tek një audiencë e gjerë e ndjekësve. 

Me rritjen e gjurmës digjitale të OJQ-ve rritet edhe rreziku që i kanoset privatësisë dhe sigurisë së tyre në sferën digjitale. Sulmet kibernetike kundrejt këtij sektori janë në rritje dhe përfshijnë një seri taktikash, përfshi këtu hakimin e faqeve zyrtare dhe sistemeve të komunikimit të organizatave, vjedhjen e të dhënave të ndjeshme, keqpërdorimin e fondeve dhe shpërndarjen e dezinformatave dhe lajmeve të rreme, ndër të tjera. Pasojat e sulmeve të tilla janë të mëdha dhe përbëjnë rrezik serioz për funksionimin e rregullt të OJQ-ve. Disa prej pasojave me të cilat mund të ballafaqohen këto të fundit janë dëmtimi i reputacionit dhe imazhit të organizatës, e cila ndikon në humbjen e përkrahjes dhe besimit të donatorëve, partnerëve dhe grupeve me të cilat organizata punon, humbje të mëdha financiare, humbje e informacioneve dhe resurseve tjera kyce të organizatës, ndërprerja e shërbimeve dhe operacioneve të rregullta që ofron organizata, dhe në raste ekstreme, mbyllja e përhershme e organizatës. 

Kundrejt këtyre rreziqeve, është thelbësore që OJQ-të të ndërmarrin masa konkrete për të përmirësuar sigurinë e tyre kibernetike dhe për të minimizuar rrezikun që u kanoset. Për fat të mirë, OJQ-të nuk duhet të kenë njohuri të avancuara në fushën e teknologjisë informative për tu mbrojtur nga kërcënimet në sferën digjitale. Mjafton që ato të alokojnë një pjesë të kohës, resurseve financiare si dhe atyre njerëzore për të kultivuar një kulturë të sigurisë përmbrenda organizatës. 

Ky manual është përpiluar me qëllim që t’u shërbejë OJQ-ve në Kosovë, por jo vetëm, si udhërrëfyes për të zhvilluar dhe implementuar politika dhe strategji organizative të sigurisë. Manuali paraqet praktika të mira dhe udhëzime konkrete se si një organizatë, pavarësisht fushëveprimit të saj, mund të minimizojë rrezikun që i kanoset në sferën digjitale. Disa nga temat që ky manual trajton janë plani i sigurisë dhe zhvillimi i kulturës së sigurisë në një organizatë, mbrojtja e pajisjeve elektronike brenda organizatës dhe sigurimi i qasjes në to, mbrojtja e shënimeve, siguria në internet, siguria fizike dhe si të veprohet në rast të incidenteve.