Integriteti në Sektorin e Sigurisë së Kosovës: Cilat janë dobësitë e mbikëqyrjes, llogaridhënies dhe transparencës së Institucioneve të Sektorit të Sigurisë?

14/05/2024

Integriteti në Sektorin e Sigurisë së Kosovës: Cilat janë dobësitë e mbikëqyrjes, llogaridhënies dhe transparencës së Institucioneve të Sektorit të Sigurisë?
E PUBLIKUAR NGA

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë

Mbështetur nga

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë

AUTORË

Alban Dafa

Shkarko

Pavarësisht se duhen vlerësuar themelet e hedhura prej qytetarëve të Kosovës – ashtu edhe prej bashkësisë ndërkombëtare – mbi të cilat po ndërtohet sektori i sigurisë së vendit, është thelbësore që institucionet e sektorit të sigurisë dhe qytetarët e Kosovës të jenë në dialog dhe reflektim të përhershëm për t’u siguruar që këto institucione janë bartëse të vlerave demokratike dhe që misioni i punës së tyre të jetë ruajtja e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.

Procesi i dialogut dhe reflektimit mes institucioneve të sektorit të sigurisë dhe qytetarëve të Kosovës shërben për ndërtimin e një kulture institucionale, që bazohet në profesionalizëm gjatë kryerjes së misionit të tyre dhe transparencë e llogaridhënie ndaj qytetarëve të cilëve u shërben. Kërkesat për më tepër mbikëqyrje, transparencë e llogaridhënie duhet të konsiderohen prej këtyre institutcioneve si mundësi për të rritur profesionalizmin, efektshmërinë dhe integritetin e tyre. Fatkeqësisht, një pjesë e mirë e tyre ndrydhen ndaj kërkesave për mbikëqyrje, transparencë dhe llogaridhënie që vijnë nga qytetarët e Kosovës dhe prej institucioneve përgjegjëse për mbikëqyrjen e tyre.

Ky punim parashtron problematikat kyçe ligjore dhe institucionale që dëmtojnë mbikëqyrjen, transparencën dhe llogaridhënien e institucioneve të sektorit të sigursë. Punimi përqëndrohet në shqyrtimin e efektshmërisë së mbikëqyrjes parlamentare; transparencës dhe qasjes ndaj informacionit zyrtar; procedurat e prokurimit të klasifikuar dhe auditimin e tyre të jashtëm; procedurat e sinjalizimit, si dhe procedurat për parandalimin e konfliktit të interesit mes zyrtarëve të minstrisë së Mbrojtjes, Forcës së Sigurisë së Kosovës, ministrisë së Punëve të Brendshme, Policisë së Kosovës, si dhe Agjencisë së Kosovës për Intelligjencë (AKI).

Çështjet për t’u shqyrtuar janë përzgjedhur bazuar në rëndësinë që ato kanë për të siguruar mbikëqyrjen, transparencën dhe llogaridhënien e institucioneve të sektorit të sigurisë. Ngjashmërisht, institucionet janë përzgjedhur duke marrë parasysh rolet e tyre të rëndësishme për mbrojtjen e vendit dhe sigurinë kombëtare.

Përpos rishikimit të ligjeve dhe dokumenteve politike, hulumtimi është mbështetur edhe në kërkesa për qasje ndaj dokumenteve zyrtare dhe ne intervista me zyrtarë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe me zyrtarë të disa prej institucioneve të pavarura të mbikëqyrjes.

Në përfundim të shqyrtimit të problematikave ligjore e institucionale që dobësojnë mekanizmat e mbykëqyrjes, transparencës dhe llogaridhënies, punimi mbyllet me një sërë rekomandimesh që mund të merren parasysh nga institucionet e sektorit të sigurisë dhe ato përgjegjëse për mbykëqyrjen e tij për të përmirësuar efektshmërinë dhe mbikëqyrjen e sektorit të sigurisë në Kosovë.