Indeksi Kosovar i Reziliencës - Ekstremizmi i dhunshëm në Kosovë -Çfarë mund të mësojmë nga rezilienca në komunitet?

30/09/2020

Indeksi Kosovar i Reziliencës - Ekstremizmi i dhunshëm në Kosovë -Çfarë mund të mësojmë nga rezilienca në komunitet?
E PUBLIKUAR NGA

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS)

Mbështetur nga

Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Prishtinë

AUTORË

Skender Perteshi

Shkarko

Në këtë kohë nuk është menduar për reziliencën apo rolin e reziliencës në parandalimin ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit. Rezilienca apo qëndrueshmëria është çështje e re dhe e pa analizuar rreth efektit të saj në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm. Nëpërmjet këtij hulumtimit ne kemi bërë vlerësimin e reziliencës së komunitetit kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit si dhe është bërë identifikimi i faktorëve që rrisin reziliencën e komunitetit ndaj formave të ndryshme të ekstremizmit dhe radikalizmit.

Për matjen e reziliencës së komunitetit ndaj ekstremizmit dhe radikalizmit janë trajtuar 3 indikator si: identiteti dhe kohezioni social, lidhja me vendin dhe besimi në institucionet e shtetit si dhe harmonia fetare ndërmjet komuniteteve në vend. Nëpërmjet vlerësimit të këtyre indikatorëve ne kemi identifikuar pikat e forta të reziliencës së komunitetit në Kosovë, të cilat duhet të punohen me qëllim të krijimit të komuniteteve reziliente kundër dhunës dhe radikalizmit.

Ky hulumtim konstaton se ka një kohezion të mirë social brenda komuniteteve që kanë bindje të ndryshme fetare dhe që u takojnë etnive të ndryshme. Komunitetet në Kosovë i besojnë  njëri tjetrit si dhe ka një bashkëpunim shumë të mirë brenda komuniteteve. Megjithatë, mungon një bashkëpunim dhe ndërveprim ndërmjet komunitetit dhe institucioneve të shtetit në nivel qendror dhe lokal në Kosovë.

Qytetarët kanë besim të ulët ndaj nivelit komunal si dhe institucioneve në nivel qendror në Kosovë. Kjo përbën një shqetësim për faktin se mungesa e ndërveprimit ndërmjet komunitetit dhe institucioneve të shtetit krijon një hapësirë më të madhe për rritje të pasigurisë në vend, si dhe krijon ambient të përshtatshëm për përhapjen të dhunës dhe radikalizmit.

Harmonia fetare mbetet ndër vlerat kryesore me të cilat identifikohet shoqëria kosovare e cila ka ndihmuar vendin në parandalimin e përhapjes me të madhe të elementeve radikale fetare në vend. Përderisa ka një harmoni të shkëlqyer ndërmjet komuniteteve që u takojnë feve të ndryshme, sfidë mbetet përplasja e sekteve apo grupeve të ndryshme brenda komunitetit të besimit islam në vend, sidomos brenda Bashkësisë Islame në Kosovë (BIK). Një përplasje e tillë ka armiqësuar komunitetin praktikues islam në vend si dhe ka krijuar trupa paralele religjioze në vend.

Identiteti kombëtar apo shprehja e ndjenjës kombëtare mbetet shumë e fortë në Kosovë dhe se komuniteti ndihet shumë krenar me përcaktimin e identitetit të tij kombëtar. Sfidë mbetet krijimi i hapësirës për të shprehur lirshëm ndjenjat fetare apo orientimin politik. Të anketuarit deklaruan se në vend nuk ka liri të mjaftueshme për të shprehur lirshëm orientimin e tyre politik, identitetin apo ndjenjën e tyre fetare. Një situatë e tillë është shqetësuese për faktin se mungesa e lirisë për të  shprehur orientimin politik apo ndjenjën fetare krijon një ambient të përshtatshëm për diskriminim dhe stigmë të komuniteteve të cenueshme nga ekstremizmi apo radikalizmi në vend.

Kosova përballet me sfida të mëdha të cilat kanë penguar zhvillimin vendit si dhe ngritjen e cilësisë së jetesës së qytetarit të cilat shpien në rritjen e pasigurisë së shoqërisë kosovare për një jetë më të mirë në Kosovë. Mungesa e pasigurisë tek qytetarët ndikoi që shoqëria kosovare të kërkoj alternativë për një jetë më të mirë duke migruar në vendet e Evropës Perëndimore. Sfidat si korrupsioni, krimi i organizuar, sistemi i dobët i edukimit e shëndetësisë, mungesa e sundimit të ligjit dhe qeverisja e keqe kanë krijuar një ambient të humbjes së shpresës së qytetarëve për një jetë më të mirë në vend si dhe kanë rritur nivelin e cenueshmerisë së komunitetit ndaj ekstremizmit dhe radikalizmit në vend

Opinionet e prezantuara në këtë hulumtim janë të autorit dhe jo domosdoshmërisht përfaqësojnë opinionet e Ambasadës e Mbretërisë së Holandës dhe Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë.