11/02/2026
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë
Open Society Foundations—Western Balkans
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë
Në mars 2020, Këshilli i Bashkimit Evropian (BE) miratoi propozimin e Komisionit Evropian (KE) për një metodologji të re të zgjerimit për vendet e interesuara të bëhen shtete anëtare. Kështu, për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor (BP6) që ndodhen në rrugën e tyre të anëtarësimit në BE, si dhe për vende të tjera të tilla, kjo shënoi hyrjen e metodologjisë së re dhe të përforcuar të anëtarësimit. Integrimi gradual, ose anëtarësimi i fazuar, është një nga shtyllat kryesore të kësaj metodologjie të re. Si qasje, kjo shtyllë i mundëson BE‑së të mbështesë vendet e BP6 në arritjen e standardeve të BE-së duke u ofruar qasje në mekanizmat e saj të specializuar në fusha të caktuara politike, paralelisht me reformat që ata zbatojnë.
Në praktikë, kjo nënkupton mundësimin e institucioneve të BP6 dhe aktorëve të tjerë që merren me fusha të caktuara politike të angazhohen drejtpërdrejt me homologët e tyre në BE në një proces institucional të të nxënit. Agjencitë e BE-së dhe organizatat e tjera të politikave janë mekanizma tipikë të tillë. Ato janë institucione ose trupa të specializuara në nivel të BE‑së që – së bashku me KE-në (e cila gjithashtu udhëheq negociatat e anëtarësimit me vendet e BP6) – zhvillojnë acquis‑in e BE-së në fushat e tyre përkatëse përmes ekspertizës së politikave. Si të tilla, ato do të luanin një rol kritik në udhëheqjen dhe mbështetjen e institucioneve të BP6 në reformat e tyre për t’u përafruar me acquis‑in e BE‑së dhe me standardet evropiane.
Në këtë kontekst, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë është, tash e disa vite, organizata kryesore e shoqërisë civile që punon në anëtarësimin e fazuar të BP6 në BE. Ne e kemi bërë këtë përmes hulumtimeve të gjera të politikave, si dhe duke u angazhuar në avokim dhe në promovimin dhe lehtësimin e dialogut politik në rajon dhe me aktorët e BE-së mbi këto tema, në bashkëpunim me OShC‑të në vendet e tjera të BP6. Duke u mbështetur në hulumtimin e politikave dhe avokimin që nga viti 2024 në tre fusha – (1) Bashkëpunimi me Agjencinë e BE-së për Siguri Kibernetike, me synimin e integrimit në të; (2) Përafrimi me Rregulloren e BE-së për Skanimin e Investimeve të Huaja Direkte (IHD), përfshirë ngritjen e mekanizmave kombëtarë për skanimin e IHD-ve; dhe (3) Përfshirja në Raportin e Sundimit të Ligjit të BE-së – ne kemi përgatitur këtë dokument vijues të politikave mbi këto tema. Prandaj, ky policy brief përbëhet nga tre kapituj – një për secilën temë – si dhe nga përfundimet kryesore.
Qëllimi i këtij dokumenti është të informojë aktorët kryesorë në vendet e BP6 dhe në BE mbi gjendjen aktuale të reformave që po ndërmarrin vendet e BP6 në këto fusha. Ai gjithashtu synon të ndikojë në diskursin publik në rajon mbi procesin e integrimit evropian. Së treti, synojmë të mbështesim zbatimin e reformave në këto fusha, përmes avokimit të politikave dhe promovimit të dialogut të politikave, përfshirë dialogun midis qeverive dhe organizatave të shoqërisë civile në rajon. Prandaj, ky dokument – i cili shërben edhe si mjet monitorues i politikave – ofron një përditësim mbi progresin e bërë nga vendet e BP6 në këto fusha në raport me rekomandimet e policy brief‑eve të para që kemi publikuar në vitet 2024 dhe 2025. Ai gjithashtu diskuton sfidat e mbetura me të cilat përballen këto vende në përpjekjet e tyre për të përmirësuar përgatitjen në këto fusha në kontekstin e reformave të anëtarësimit në BE. Dokumenti mbështetet kryesisht në burime dytësore, të cilat na mundësojnë të skanojmë situatën faktike. Për të mbledhur informacione më të detajuara, ne kemi kontaktuar gjithashtu institucionet kombëtare të të gjitha vendeve të BP6 përgjegjëse për sigurinë kibernetike (si dhe Agjencinë e Sigurisë Kibernetike të BE-së) dhe për skanimin e IHD-ve, për të kryer intervista me shkrim përmes një pyetësori gjysmë‑të‑strukturuar, por nuk kemi marrë përgjigje nga asnjëra prej tyre.
Ky raport është prodhuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) në kuadër të nismës IGNITA, e financuar nga Fondacionet e Shoqërisë së Hapur - Ballkani Perëndimor. Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura janë vetëm ato të autorit/autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Fondacioneve të Shoqërisë së Hapur - Ballkani Perëndimor.