Fushëbetejat e reja: Aktiviteti i grupeve ekstremiste në rrjetet sociale në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni

30/11/2017

Fushëbetejat e reja: Aktiviteti i grupeve ekstremiste në rrjetet sociale në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni
E PUBLIKUAR NGA

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS)

Mbështetur nga

EU Office in Kosovo

AUTORË

Vesë Kelmendi, Shpat Balaj

Shkarko

Platformat online janë shfrytëzuar mjaft shumë për propagandë me qëllim të bindjes së individëve të ndryshëm, sidomos të të rinjve, për t’i mbështetur grupet e ndryshme luftuese në Siri dhe Irak. Një numër i caktuar i individëve që nuk i janë bashkangjitur formacioneve të ndryshme në fushëbeteja janë bërë pjesë e propagandës nëpërmjet rrjeteve sociale, duke i ofruar mbështetje ISIS-it dhe organizatave tjera aktive në Siri nëpërmjet profileve të tyre online. Ndërkaq, një pjesë e vogël e personave, profilet e të cilëve i kemi analizuar, gjenden në konfliktin e Sirisë dhe i përdorin profilet e tyre për të shpërndarë informacione rreth konfliktit dhe për qëllime propagandistike. 

Ajo çka vërehet si karakteristikë e shumicës së profileve dhe llogarive të analizuara është shoqëria e përbashkët virtuale mes tyre. Si pjesë e propagandës online të grupeve ekstremiste janë identifikuar lokacionet e faqeve dhe profileve në Kosovë, Shqipëri dhe Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë (IRJM). Shpërndarja e materialeve zyrtare propaganduese të ISIS-it dhe organizatave tjera në gjuhën shqipe ka mund të ketë ndikuar në rritjen e përkrahjes për të ashtuquajturin “Shteti Islamik”. 

Metodologjia e përdorur gjatë hulumtimit për këtë raport përfshin analizimin e të dhënave dhe informatave të mbledhura nga faqet e mbyllura dhe grupet/rrjetet në të cilat mund të çasesh vetëm me ftesë. Diskutimet në këto grupe të mbyllura janë më të sinqerta dhe të hapura për dallim nga faqet publike për shkak se janë më pak të ekspozuara ndaj mbikëqyrjes nga rrjetet përkatëse. Një përshkrim i saktë i metodologjisë është shmangur, në mënyrë që të parandalohen kundër-masat që potencialisht mund të merren nga administratorët e këtyre grupeve të mbyllura. Siç është bërë e qartë, ky raport pretendohet të jetë pikë-nisja e monitorimit të vazhdueshëm të grupeve ekstreme shqip-folëse në platformat online.

 Ky hulumtim është i bazuar kryesisht në tri kategori të faqeve online: (i) ato pro dhunës dhe përkrahjes së grupeve ekstremiste (ii) materiale propagandistike, si thirrjet për xhihad apo mbështetja për hoxhallarët e burgosur; dhe (iii) trendet dhe qëndrimet e tyre ndaj shtetit, institucioneve dhe shoqërisë në përgjithësi. Për të kuptuar rëndësinë e internetit, përkatësisht të faqeve të rrjeteve sociale, të tilla si Facebook, Youtube dhe të tjera ne kemi analizuar edhe disa nga intervistat me personat të cilët ishin pjesë e konfliktit në Siri dhe Irak. Sipas të intervistuarëve, shumica e tyre kanë përdorur platformat “Facebook” dhe “YouTube” për t’u informuar rreth konfilktit në Siri dhe Irak, për dallim nga propaganda e përhapur në shtetet e BE-së që kryhet përmes platformës “Twitter”.1 Për më tepër, pamjet shqetësuese të civilëve të vrarë dhe ideja e të qenit protagonist në “krijimin e Kalifatit përmes xhihadit” ka shtyer individë të ndryshëm të kenë rol aktiv në rrjete sociale në shërbim të propagandës ekstreme. Narrativa e përdorur nga këta individë vazhdimisht thërret për mbrojtjen e Islamit nga ata që prej tyre quhen “kryqtarë” dhe prioritizimi i atyre që i konsiderojnë armiq si Hebrenjtë, komunitetet “Alewi” dhe predikuesit tradicional të Islamit. 

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka krijuar një bazë të të dhënave e cila përfshinë shumicën e faqeve në Facebook, Youtube dhe aplikacione të tjera ku promovohet dhuna si dhe propaganda rreth ISIS-it dhe organizatave tjera terroriste. Madje, në këto faqe bëhet thirrje për t’u bashkangjitur në xhihad. Analiza e këtyre kanaleve në gjuhën shqipe ka filluar nga dhjetori i vitit 2016 deri në qershor të vitit 2017. Në këtë drejtim, janë analizuar 60 faqe në Facebook, 4 grupe të mbyllura, më shumë se 120 profile individuale dhe 6 kanale në Youtube.

Ky raport është publikuar në kuadër të projektit “Mbështetje e mëtejshme Institucioneve të Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe ekstremizmit të dhunshëm”  Projekt i financuar nga BE, menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Implementuar nga një konsorcium i udhëhequr nga B&S Europe.