E ARDHMJA E ‘MBROJTJES CIVILE’ NË PJESËN VERIORE TË KOSOVËS

27/04/2015

E ARDHMJA E ‘MBROJTJES CIVILE’ NË PJESËN VERIORE TË KOSOVËS
E PUBLIKUAR NGA

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) dhe Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë (QBPS)

Mbështetur nga

Qeveria e Mbretërisë së Norvegjisë

AUTORË

Isidora Stakić, Maja Bjeloś, Sofije Kryeziu

Shkarko

Njësitë e Mbrojtjes Civile në Veri të Kosovës operojnë jashtë kornizës ligjore të Kosovës, pavarësisht faktit se Marrëveshja e Brukselit në mënyrë implicite parasheh shpërbërjen e strukturave paralele Serbe të sigurisë që ekzistojnë në Kosovë. Përderisa komuniteti Serb në Kosovën Veriore e sheh MC si strukturë civile me të vetmin qëllim sigurimin e ndihmës për civil në situata të jashtëzakonshme, Qeveria e Kosovës, si dhe institucionet ndërkombëtare të cilat operojnë në Kosovë, e shohin MC si strukturë ilegale paramilitare e cila duhet të shpërbehet.

Gjatë hulumtimit në terren, të kryer gjatë muajit Shkurt dhe Mars 2015, autoret e raportit kanë identifikuar një personel prej 751 pjesëtarë të njësisë së MC, në mesin e tyre një numër i pjesëtarrëve të cilët kanë mungesë të njohurive të nevojshme për siguri, mbrojtje dhe shpëtim përderisa disa prej pjesëtarrëve janë ish-oficerë ushtarakë. Edhe pse mandati zyrtar i njësive të MC në Veri të Kosovës është që të ndihmojë popullatën civile në situata të jashtëzakonshme, këto njësi shpesh kryejnë detyra të tjera të tilla si: mirëmbajtja e rrugëve, riparime të urës, sigurimin e ndërtesave etj. Përveç njësive të MC, në Veri të Kosovës operon vetëm një njësi zjarrëfikëse, e cila vepron në kuadër të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave të Kosovës (AME) dhe përbëhet nga rreth 30 zjarrfikës. Ekzistojnë disa tregues se anëtarët individual të njësisë së MC herë pas herë kanë qenë të përfshirë në protesta politike, si dhe dyshohet se disa prej tyre kanë qenë të përfshirë në dhunën politike dhe krimin e organizuar. Sipas Marrëveshjes për Mbrojtjen Civile të arritur me 26 Mars 2015 në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit i cili  ndërmjetësohet nga  BE-ja, njësite e MC në Veri të Kosovës janë duke u mbështetur dhe financuar nga qeveria Serbe.

Marrëveshja për MC parashikon integrimin e 483 pjesëtarëvë të MC në institucionet e Kosovës si dhe siguron 50 pozita që do të paguhen nga fondet kontingjente. Kjo është në përputhje me planin e Qeverisë së Kosovës për integrimin e MC në institucionet e nivelit qëndror të Kosovës, dhe se personeli i tyre do të shpërndahet në mesin e një numri të organeve dhe agjencive qeveritare. Megjithatë, marrëveshja thotë se 218 pjesëtarë të MC do të mbeten pa punë dhe pa të ardhura. Një numër i sfidave do të duhet të adresohen në lidhje me planin e integrimit, duke përfshirë edhe paaftësitë e institucioneve të  Kosovës për të absorbuar njësi të tëra të MC, mosgatishmëria e pjesëtarëve të MC për t’u bërë pjesë e strukturave të Kosovës dhe nevoja për të siguruar burime alternative të të ardhurave për ata të cilët do të mbeten pa punë. Përkundër faktit se plani zyrtar për integrimin e njësive të MC të Veriut të Kosovës tanimë është publikuar, ajo mbetet kryesisht e panjohur për publikun e gjerë dhe për pjesëtarët e MC, e që mund të paraqesë sfida të tjera gjatë zbatimit të tij.

Ky dokument është publikuar nga Qendra e  Beogradit për Politika të Sigurisë dhe Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë. Ky publikim është hartuar në kuadër të projektit: “Forumi Hulumtues për Siguri: Beograd – Prishtinë – Tiranë” I mbështetur nga Qeveria e Mbreterisë së Norvegjisë. Hulumtimi është mbështetur nga Trusti Ballkanik për Demokraci Programi Profesional për Shkëmbim të Punës dhe Përvojës dhe me mbështetje të Zyres së jashtme dhe Komonuelthit të Mbretërisë së Bashkuar. Pikëpamjet dhe analizat e paraqitura në këtë publikim janë të autorëve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Qeverisë Norvegjese dhe të Mbretërisë së Bashkuar apo prej organizatave të lidhura.