25/06/2023
*Verzioni origjinal i raportit është në gjuhën angleze.
Qëllimi kryesor i hulumtimit aktual është i dyfishtë. Së pari, ne synojmë të masim agjensinë e grave në sektorin e sigurisë dhe të vlerësojmë shkallën në të cilën ajo është gjithëpërfshirëse dhe akomoduese drejt perspektivës gjinore. Së dyti, hulumtimi ynë është fokusuar në vlerësimin e kapaciteteve të institucioneve brenda sektorit të sigurisë për të adresuar sfidat specifike gjinore dhe përdorimin e perspektivës gjinore brenda sektorit të sigurisë.
Të gjeturat kryesore të raportit:
- Shkalla e ulët e aplikimit të grave për t’u bashkangjitur në institucionet e sigurisë, rrjedhë kryesisht nga perceptimi se kjo fushë është e destinuar kryesisht për burrat. Ky perceptim prekë gratë që punojnë në këtë sektor e të cilat ndeshen me një mentalitet patriarkal që minon njohuritë dhe ekspertizën e tyre në krahasim me homologët e tyre burra. Për më tepër, gratë shpesh përballen me presionin për t’u përshtatur me pritjet e shoqërisë, duke rrezikuar liritë e tyre personale dhe qenien vetanake të mirëfilltë;
- Gratë në sektorin e sigurisë janë të përfaqësuar në mënyrë të pamjaftueshme në pozita menaxheriale dhe ambiciet e tyre për të ushtruar role menaxheriale dëmtohen nga paragjykimet dhe rolet e perceptuara gjinore. Nënvlerësimi dhe trajtimi diferencial i grave brenda sektorit të sigurisë pengon ambiciet dhe vetëbesimin e tyre, duke çuar në besimin se ato nuk janë të afta për poste drejtuese. Për më tepër, përgjegjësitë shtëpiake gjinore krijojnë pengesa thelbësore për gratë në arritjen e pozitave drejtuese dhe marrjen e përgjegjësive më të mëdha brenda sektorit të sigurisë, duke penguar përparimin e tyre në karrierë. Ky rol pengon ndjeshëm aftësinë e grave për të ndjekur programe të gjera trajnimi të nevojshme për avancimin në karrierë, veçanërisht në ushtri.
- Ekziston një tendencë e raportimit të pamjaftueshëm kur bëhet fjalë për rastet e bullizmit, ngacmimit ose diskriminimit kundër grave në sektorin e sigurisë. Duke qenë se kjo u cilësua apo përshkrua si mungesë e një “kulture të raportimit”, ajo i referohet atmosferës dekurajuese që i pengon gratë të dalin përpara dhe të raportojnë incidente të tilla. Gjithashtu edhe mekanizmat e raportimit perceptohen si jokonfidencialë.
- Në Policinë e Kosovës (PK) ka hezitim për të adresuar çështjet e barazisë gjinore, ndërkohë që ka kërkesa të vazhdueshme nga organizatat e shoqërisë civile për të bashkëpunuar dhe ndarë të dhënat dhe njohuritë në lidhje me pozitën e gruas dhe mjedisin gjinor të punës në PK-së.
Vërejtje: Zhvillimi dhe publikimi i këtij dokumenti është mbështetur nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut. Përmbajtja e këtij dokumenti është përgjegjësi e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) dhe jo domosdoshmërisht përfaqëson pikëpamjet e KCSF-së, SDC-së, Suedisë apo Luksemburgut.