26/06/2024
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë
Leureta Lumi
Anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) konsiderohet si interes kombëtar në të gjithë spektrin politik të Kosovës dhe merr mbështetje të konsiderueshme publike. Sipas Barometrit të Sigurisë 2022 nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), 92 për qind e të gjithë qytetarëve në Kosovë janë pro anëtarësimit në NATO. Kjo mbështetje është edhe më e theksuar te shqiptarët e Kosovës, ku shkalla e miratimit shkon në 99.5 për qind. Ky është objektivi i vetëm në Kosovë që gëzon këtë nivel të mbështetjes publike. Në Strategjinë e Sigurisë së Kosovës 2022-2027 thuhet se “Qëllimi i pazëvendësueshëm i Republikës së Kosovës është anëtarësimi dhe integrimi në NATO si mekanizmi që ofron siguri strategjike afatgjatë”.
Roli udhëheqës i NATO-s në përfundimin e luftës së vitit 1999 dhe shmangien e një gjenocidi të mundshëm në Kosovë shihet gjerësisht si një arsye kryesore pas mbështetjes së fortë publike për aleancën. Megjithatë, kjo ndjenjë është përforcuar nga zhvillimet e fundit, si pushtimi rus i Ukrainës në shkurt 2022, duke intensifikuar vlerësimin e Kosovës për anëtarësimin në NATO. Urgjenca që Kosova të anëtarësohet në NATO është rritur edhe më shumë nga mosmarrëveshjet e pazgjidhura dypalëshe me Serbinë dhe nga qëndrimet gjithnjë e më kundërshtare të presidentit serb Vuçiq ndaj, siç tregohet nga një deklaratë e tij e fundit, e cila nënkupton se për Kosovën, Serbia duhet të mësojë nga Azerbajxhani, duke shtuar se: “Pritën 27 vjet për rrethana të veçanta gjeopolitike”. Shembull,Sulmi terrorist i Banjskës në shtator 2023, i cili besohet se është orkestruar me mbështetjen e institucioneve serbe të sigurisë dhe në bashkëpunim me Rusinë, përforcon perceptimin se Serbia sheh një zgjidhje ushtarake të “problemit të Kosovës”.
Edhe pse Kosova përfiton nga mbrojtja e NATO-s përmes misionit të KFOR-it, qëndrimi i NATO-s ndaj Kosovës mbetet neutral ndaj statusit, pa ndonjë avancim domethënës në marrëdhëniet politike NATO-Kosovë që nga viti 2016. Ky punim thellohet në këto sfida dhe synon të eksplorojë pengesat me të cilat përballet Kosova në rrugën e saj për anëtarësimin në NATO. Rrjedhimisht, ky dokument përfshin një analizë të marrëdhënieve aktuale NATO-Kosovë, opsionet për Kosovën për të përmirësuar këto marrëdhënie dhe për të kapërcyer sfidat kryesore, duke përfshirë eksplorimin e Partneritetit për Paqe dhe Planin e Veprimit për Anëtarësim (MAP), një rishikim të proceseve të anëtarësimit në NATO në Shqipëri , Mali te Zi dhe Maqedoni te Veriut, dhe vërejtjet përmbyllëse me rekomandime.