17/12/2018
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS)
National Endowment for Democracy (NED)
Donika Emini
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë vazhdon me shqyrtimin e rezultateve të opinionit publik mbi çështjet më të gjera të politikës së jashtme dhe dialogut me Serbinë, në formën e Edicionit të Posaçëm të Programit të Barometrit Kosovar të Sigurisë. Për të siguruar vlerësimin e trendeve, pyetjet kryesore të anketës mbetën të pandryshuara. QKSS-ja vazhdon të masë mënyrën se si i shohin qytetarët e Kosovës partnerët e saj strategjikë rajonalë dhe ndërkombëtarë, si i percepton një qytetar mesatar i Kosovës ndikimet e jashtme në Ballkanin Perëndimor dhe në Kosovë në mënyrë specifike, dhe cili është opinioni ndaj anëtarësimit në BE dhe NATO. Ngjashëm me edicionet e mëparshme, QKSS-ja është përqendruar veçanërisht në dialogun e lehtësuar nga BE-ja me Serbinë. Megjithatë, pas debateve mbi epilogun e mundshëm të dialogut, QKSS-ja ka përfshirë pyetje shtesë në lidhje me marrëveshjet detyruese ligjore dhe kryenegociatorin e Kosovës.
Ky edicion mbulon dimensionet e mëposhtme:
• Perceptimet e publikut ndaj aktorëve relevantë rajonalë dhe ndërkombëtarë;
• Perceptimet e publikut ndaj ndikimeve të jashtme në Kosovë dhe aleancave euro-atlantike;
• Perceptimet e publikut ndaj dialogut të lehtësuar nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë
Ky raport është publkuar në kuadër të programit Barometri Kosovar i Sigurisë. Perceptimet e paraqitura në këtë raport janë përmbledhje e përgjigjeve të marra nga të anketuarit dhe tregojnë mënyrën si i perceptojnë ata institucionet. Ky nuk është vlerësim përfundimtar i punës së institucioneve që janë temë e këtij studimi. Raporti do t’u shërbejë atyre si instrument për të adresuar mangësitë e mundshme, por edhe si tregues i efektivitetit të komunikimit të tyre me qytetarët.
Pikëpamjet e paraqitura në këtë raport janë perceptimet e të anketuarve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë. Opinionet e shprehura në këtë raport nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e National Endowment for Democracy (NED).