4/11/2015
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS); Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM)
Foto Duro
Rrënjët e përbashkëta etnike midis shqiptarëve në Shqipëri e Kosovë, por edhe gatishmëria e hapat e hedhura nga qeveritë përkatëse për bashkëpunim, e favorizojnë këtë bashkëpunim edhe në fushën e mbrojtjes. Bashkëpunimi ushtarak ka nisur qysh në fillimet e viteve 90’ dhe është karakterizuar nga tri periudha të veçanta: a) prej 1991 deri në Qershor 1999 (përfundimi i luftës në Kosovë); b) Qershor 1999 – shkurt 2008 (deklarimi i pavarësisë së Kosovës) dhe c) post-2008, kur ky bashkëpunim fillon të zhvillohet normalisht. Në fakt, ende thellësia dhe efektet e këtij bashkëpunimi mbeten larg pritshmërisë. Këtu ka ndikuar një farë shqetësimi (i shprehur apo i nënkuptuar) i ndonjë vendi të rajonit apo komunitetit ndërkombëtar ndaj nismave të Shqipërisë për bashkëpunim me Kosovën, mbivendosjet apo dublikimet në ndihmat e ofruara Kosovës prej një numri vendesh të tjera, por në disa raste edhe pamundësia e Shqipërisë për të dhenë ekspertizën e duhur.
Arsimimi dhe trajnimi ushtarak, si dhe integrimi Euro-Atlantik janë fushat ku bashkëpunimi ushtarak Shqipëri-Kosovë duken më të zhvilluara. Heqja e kufizimeve kushtetuese ndaj sektorit të mbrojtjes në Kosovë, që pritet të ndodhë në të ardhmen e afërt, duke i hapur rrugë ndërtimit të një force të armatosur standarde, hap perspektiva të reja për këtë bashkëpunim. Ai duhet të zhvillohet në gjerësi, por të synojë edhe cilësinë. Sidomos fusha e operacionalitetit duhet të ketë prioritet, pasi ka efekte direkte ndaj sigurisë së përbashkët, i kontribuon frymës së përgjithshme të bashkëpunimit rajonal për sigurisë dhe ka gjithashtu një ndikim mjaft pozitiv tek publiku.
Ky dokument është hartuar në kuadër të projektit: “Forumi Hulumtues për Siguri: Beograd – Prishtinë – Tiranë” I mbështetur nga Qeveria e Mbretërisë së Norvegjisë. Hulumtimi është mbështetur gjithashtu nga Trusti Ballkanik për Demokraci, Programi Profesional për Shkëmbim të Punës dhe Përvojës dhe me mbështetje të Zyres së Jashtme dhe Komonuelthit të Mbretërisë së Bashkuar. Pikëpamjet dhe analizat e paraqitura në këtë publikim janë të autorëve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Qeverisë Norvegjese dhe të Mbretërisë së Bashkuar apo prej organizatave të lidhura.