21/12/2016
Barometri Kosovar i Sigurisë (BKS) është program i veçantë i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), i cili ka për qëllim që të dal me një publikim të përvitshëm mbi perceptimet e qytetarëve. Më konkretisht, qëllimi kryesor i BKS-s është që ta masë perceptimin e opinionit publik për institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë. Njëkohësisht, KSB mat perceptimin publik lidhur me kërcënimet e brendshme dhe të jashtme ndaj sigurisë së Kosovës. BKS-ja është ndër nismat e para dhe më të mëdhatë të iniciuara, realizuara dhe publikuara nga një organizatë vendore. Ajo që e veçon KSB-në, QKSS-ja nuk ka kurrfarë kufizimi politik sa i përket komunikimit të gjetjeve dhe të mesazheve që mëton t’i përçojë. Për fund, BKS-ja është unike sa i përket qasjes metodologjike, duke i integruar metodat kuantitative dhe kualitative me synim të ofrimit të rezultateve sa më reale sa i përket perceptimit të publikut karshi çështjeve që lidhen me siguri.
Edicioni i gjashtë i BKS-s është një përmbledhje e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve të sigurisë dhe të drejtësisë. Në veçanti, e ka matur perceptimin e publikut kundrejt problemeve dhe shqetësimeve të brendshme dhe të jashtme të sigurisë, si dhe kundrejt problemeve në lidhje me të ardhmen e FSK-së dhe të pranisë ndërkombëtare në Kosovë.
Përgjigjet ndaj pyetësorit të BKS-s janë marrë përmes intervistave në terren, të cilat janë realizuar anembanë Kosovës. Shumica e pyetjeve kanë qenë të llojit të mbyllur, dhe përgjigja mund të jepej sipas modelit të Likert-it prej pesë shkallëve. Disa pyetje ishin të hapura, të cilat ua mundësonin të anketuarve ta jepnin mendimin e tyre pa u kufizuar në opsione të përcaktuara më parë. Përcaktimi i mostrës, pilotimi dhe intervistat u zhvilluan prej ekipit të QKSS-s, i cili përbëhej prej 27 hulumtuesve të terrenit. Mostra gjithëpërfshirëse në nivel vendi, prej të cilës është realizuar hulumtimi, përbëhej prej 1,093 amvisërive, duke u pasuar prej një mostre përfaqësuese të popullsisë së moshës mbi 18 vjeçare në Kosovë. Ndarja sipas përkatësisë etnike e pjesëmarrësve të intervistuar ishte si vijon: 86.9 për qind shqiptarë të Kosovës, 7.0 për qind serbë të Kosovës, dhe 6.1 për qind pjesëtarë të bashkësive të tjera (1.4 për qind turq, 0.6 për qind boshnjakë, 0.9 për qind romë, ashkali, dhe egjiptianë, dhe të tjerët janë goranë, kroatë dhe malazezë).
Korniza e mostrës është e bazuar në kodin zonal të telefonisë, dhe si rrjedhojë përbëhej prej 7 rajoneve: Ferizaj, Gjakovë, Gjilan, Mitrovicë, Pejë, Prishtinë dhe Prizren. Faza e parë e grupimit gjeografik u bazua në raportin e regjistrimit civil në Kosovë të vitit 2011, ndërsa në fazën e dytë grupimi i mostrave është bazuar në komunat përkatëse duke përfshirë këtu edhe shtresëzimin rurale/urbane, si dhe gjithashtu duke e marrë për bazë numrin e amvisërive. Ndërsa në fazën e fundit grupimi i mostrës është bërë duke marrë për bazë metodën e rastit, respektivisht duke e përdorur metodën e ditëlindjes më të përafërt’ me ditën e mbajtjes së anketës. Përcaktimi i mostrës sipas rastit siguron që secili banor i Kosovës të ketë gjasë të barabartë që të përzgjidhet për intervistë. Duke e pasur parasysh mostrën e shfrytëzuar për këtë studim, mund të themi në përgjithësi se rezultatet e hulumtimit e pasqyrojnë trendin e qëndrimeve dhe të perceptimeve të krejt popullatës së moshës së rritur të Kosovës. Si rrjedhojë, margjina e gabimit është 3 për qind ndërsa intervali i besimit është mbi 95 për qind.
Ky projekt mbështet nga: Fondacioni Amerikan National Endowment for Democracy (NED).