1/11/2020
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS)
NED
Shpat Balaj
Ky edicioni i Barometrit Kosovar të Sigurisë - Raporti për Kosovën, përbëhet nga tre kapituj:
Kapitulli i parë paraqet përceptimet e qytetarëve lidhur me besueshmërinë në institucionet e sigurisë, drejtësisë, si dhe në institucione e nivelit qendror dhe lokal.
Kapitulli i dytë interpreton perceptimet e qytetarëve lidhur me korrupsionin në këto institucione, dhe
Kapitulli i tretë reflekton të gjeturat e raportit për kontaktin e drejtëpërdrejtë të qytetarëve me këto institucione në 12 muaj e fundit. Teksa në kapitujt e lartpërmendur ky raport ofron një pasqyrë të përgjithshme të perceptimeve të qytetarëve, ai gjithashtu paraqet zbërthimin e të dhënave sipas gjinisë, rajonit, zonës (urbane/rurale), moshës (18-35/36+) dhe përkatësisë etnike të të anketuarve. Për më tepër, raporti ofron analiza shtesë për arsyet pse ekzistojnë perceptime të tilla të qytetarëve në lidhje me çështjet e paraqitura në raport.
Gjetjet kyçe të edicionit të dhjetë të BKS-së janë si më poshtë:
- Të anketuarit e Barometrit Kosovar të Sigurisë vazhdojnë të kenë besim më të lartë në Institucionet e Sigurisë krahasuar me Institucionet Qendrore dhe të Drejtësisë;
- Forca e Sigurisë së Kosovës vazhdon të jetë institucioni më i besuar, me 81 për qind të të anketuarve që kanë besim ose besim të plotë në të;
- Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Dogana e Kosovës dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës janë institucionet e sigurisë më pak të besuara;
- Në përgjithësi, institucionet e Sigurisë perceptohen si më pak të korruptuara nga qytetarët, krahasuar me institucionet e Drejtësisë dhe Qendrore;
- Institucionet e Drejtësisë, përkatësisht Gjykatat dhe Prokuroria, vazhdojnë të perceptohen si të korruptuara. Mbi 40 për qind e të anketuarve besojnë se këto institucione janë të korruptuara ose shumë të korruptuara;
- Qeveria e Kosovës konsiderohet institucioni më i korruptuar, me 72 për qind të të anketuarve që deklarojnë se Qeveria është e korruptuar ose shumë e korruptuar;
- Në përgjithësi, qytetarët kanë kontakt të drejtpërdrejt të ulët me institucionet në Kosovë;
- Komunat janë institucionet me të cilat qytetarët kanë pasur më së shumti kontakt të drejtpërdrejtë në 12 muajt e fundit;
- Qeveria është institucioni me të cilin qytetarët kanë pasur më së paku kontakt të drejtpërdrejtë në 12 muajt e fundit;
*Ky raport është publikuar në kuadër të projektit rajonal “Barometri i sigurisë në Ballkanin Perëndimor - promovimi i llogaridhënies në Institucionet e Sigurisë dhe Drejtësisë” i mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED).
**Pikëpamjet e shprehura në këtë raport janë perceptime të të anketuarve dhe nuk përfaqësojnë doemos mendimet e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë ose Qendrës së Beogradit për Politika të Sigurisë. Opinionet e shprehura në këtë raport nuk i paraqesin doemos ato të National Endowment for Democracy (NED).