Agjenda e Biden-it: Si mundet administrata e re t’i ndihmojë Ballkanit Perëndimor të dalë nga stagnimi

1/09/2021

Agjenda e Biden-it: Si mundet administrata e re t’i ndihmojë Ballkanit Perëndimor të dalë nga stagnimi
E PUBLIKUAR NGA

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS)

Mbështetur nga

Kosovar Center for Security Studies (KCSS)

AUTORË

Muhamet Brajshori

Shkarko

Nëse nuk trajtohen sfidat që pengojnë të ardhmen evropiane të rajonit, ngërçi do të kthehet në normë në Ballkanin Perëndimor, duke e lënë kështu rajonin pa një perspektivë të qartë për të ecur përpara. Presidenca e Joe Biden-it ka sjellë optimizëm në BE dhe vende si Kosova, ku lidershipi amerikan perceptohet si jetik për të manovruar në një mjedis ndërkombëtar gjithnjë e më shumë në ndryshim. Në të njëjtën kohë, lodhja nga agjenda e zgjerimit në BE e ka lënë rajonin në harresë duke përjetuar një stagnim politik që është përdorur nga akterë malinj për të zgjeruar ndikimin e tyre.

Administrata e Presidentit Biden ka dhënë shenja se synon të përqendrohet në rajon duke vendosur një politikë të bazuar në normativa për të adresuar çështjet që e fuqizojnë rajonin dhe i ndihmojnë rajonit të ndërmarrë reforma dhe të arrijë progres në integrimin euroatlantik.

Një nga aspektet kryesore të këtij ri-angazhimi do të jenë çështjet e ndjeshme politike që e mbajnë rajonin në ngërç, siç janë marrëdhëniet e ndërlikuara mes Kosovës dhe Serbisë, dhe risku që Bosnja dhe Hercegovina të kthehet në një shtet krejtësisht të dështuar në zemër të Evropës. Një element kyç i angazhimit të Uashingtonit do të jetë koordinimi më i ngushtë me aleatët evropianë për t’i përfunduar çështjet e mbetura të hapura në Ballkanin Perëndimor.

Por sfidat janë të mëdha dhe pritjet janë të larta. Kosova dhe Serbia janë larg normalizimit të marrëdhënieve dhe status quo-ja po i mban peng të dy shoqëritë duke i bërë të paafta për të arritur progres drejt integrimit evropian; Bosnja ende nuk arrin të ketë një shtet funksional, ndërsa rajoni po përjeton depërtim madhor kinez që do t’i sfidojë SHBA-të dhe BE-në kryesisht në vendet që po kalojnë recesion demokratik siç është Serbia. Këto dhe shumë çështje të tjera të tilla si pandemia, siguria energjetike dhe demokratizimi do të kërkojnë qartësi strategjike nga Uashingtoni dhe vendosmëri për të arritur progres. Rikthimi i rajonit në rrugën e duhur për demokratizimin, sundimin e ligjit dhe zgjerimin e BE-së do të kërkonte përfshirjen e administratës amerikane. Sfida themelore për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor mbart riskun që Kosova dhe Bosnja dhe Hercegovina të kthehen në konflikte të ngrira. Nëse të dy vendet mund t’i zgjidhin sfidat e tyre dypalëshe dhe të brendshme respektivisht, rajonit i rriten shanset të ecë përpara në rrugën e bashkëpunimit dhe integrimit evropian. Megjithatë, nëse çështjet e ndjeshme politike që i karakterizojnë të dy vendet shndërrohen në konflikte të ngrira, ekziston mundësia që akterët malinj të bëhen më aktivë dhe të pranishëm në rajon sesa janë aktualisht.

Nga ana tjetër, pavarësisht se sa e ndërlikuar mund të duket situata, arritja e progresit  në rajon nuk është mision i pamundur. Mund të arrihet progres në luftimin e korrupsionit, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e demokracisë, çka mund të ketë ndikim domethënës në trajtimin e çështjeve politike. Në të njëjtën kohë, kërkohet presion më i madh nga Uashingtoni mbi Bashkimin Evropian për ta zhbllokuar procesin e integrimit evropian kundrejt Ballkanit Perëndimor, përndryshe, çdo përpjekje e SHBA-ve në rajon nuk do të jetë efektive nëse procesi i integrimit mbetet i bllokuar për shkak të BE-së. Reformat, progresi drejt integrimit në BE dhe angazhimi amerikan do të duhej të shiheshin si cikël i ndërlidhur, jo si çështje të ndara.

Administrata e re e Biden-it ka shumë punë për të bërë në Ballkanin Perëndimor. Sfidat janë të shumta, por çelësi për tejkalimin e tyre, të paktën nga këndvështrimi i rajonit, duket të jetë vullneti politik në Uashington për t’u angazhuar vërtet me çështjet dhe për t’i çuar drejt integrimit në BE apo edhe në NATO vendet që i kanë këto qëllime. Vetëkënaqësia e mundshme në administratën e Biden-it me situatën në Ballkanin Perëndimor mund t’i përkeqësojë shanset për një konflikt të ngrirë në Kosovë dhe BeH dhe, në të njëjtën kohë, një provë vendimtare për administratën do të jetë menaxhimi i pritjeve brenda dhe jashtë Ballkanit Perëndimor. Përshtatja me rrethanat aktuale në ra-jon është domosdoshmëri për t’i adresuar në mënyrë më efektive sesa gjatë 4 viteve të fundit sfidat politike, ekonomike ose të sigurisë.