THIRRJE PËR APLIKIM: SHKOLLA PËR INTEGRIME EVROPIANE

Rreth Projektit

Thirrje për Aplikim: Shkolla për Integrime Evropiane

Moduli: Siguria dhe Sundimi i Ligjit

Afati i fundit për aplikim: 20 Qershor 2016, ora 23:59

 

Ftohen të gjithë punonjësit publik të nivelit të mesëm apo punonjësit e rinj, profesionistët në sektorin e sigurisë, gazetarë, aktivistë të shoqërisë civile dhe hulumtues nga Kosova të aplikojnë në Modulin për Siguri dhe Sundim të Ligjit në kuadër të Shkollës për Integrime Evropiane që organizohet për herë të dytë nga Qendra Kosovare për Studime të Studime të Sigurisë.

Qëllimi:

Qëllimi i këtij moduli është të ofrojë një program të veçantë të shkollimit jo-formal mbi çështjet e qeverisjes së sektorit të sigurisë, duke u fokusuar në modelet e qeverisjes së policisë dhe rolin e saj në adresimin e sfidave të sigurisë. Ky modul, në krahasim me atë të kaluarin, ka për qëllim trajtimin e dy temava specifike në kuadër të fushës së gjerë të sigurisë: atë të policimit të udhëhequr nga inteligjenca dhe rolit të policisë në menaxhimin e sfidave të sigurisë sikurse ekstremizmi i dhunshëm. Të dyja çështjet monitorohen në vazhdimësi nga strukturat e BE-së prandaj lypset ngritja e njohurive në këtë drejtim. Përveç tjerash, QKSS përmes këtij moduli synon që të kontribuojë në ngritjen e nivelit të njohurive dhe vetëdijes së pjesëmarrësve të Shkollës për Integrime Evropiane në lidhje me zhvillimin e përgjithshëm të këtij sektori në kontekst të integrimeve në BE si dhe pjesëmarrjes në organizatat multilaterale siç janë: EUROPOL, INTERPOL, etj. Sikurse në edicionin paraprak, ky modul ka për qëllim që të përdorë njohuritë dhe ekspertizën e QKSS-së për t’i mundësuar pjesëmarrësve një këndvështrim më kritik ndaj procesit dhe progresit në fushën e sigurisë.

Në kuadër të këtij moduli, QKSS ka do të organizojë dy punëtori:

1. Policimi i Udhëhequr nga Inteligjenca

Fokusi i kësaj punëtorie është familjarizimi i pjesëmarrësve me tema të ndërlidhura me qeverisjen e mirë në sektorin e sigurisë, përkatësisht reformimin e sektorit të sigurisë. Në punëtori do të diskutohet mbi reformat në polici si një prej institucioneve më të rëndësishme të sigurisë në vend me fokus në zbërthimin e konceptit „Policimi i Udhëhequr nga Inteligjenca“. Fokusi i punëtorisë është si më poshtë:

- Reformimi i Policisë së Kosovës ;

- Qeverisja e mirë dhe integriteti në Polici;

- Shtjellimi i konceptit të Policimit të Udhëhequr nga Inteligjenca në Kosovë dhe rëndësia e zhvillimit të tij;

- Sfidat e Implementimit të strategjisë për Policimin e Udhëhequr nga Inteligjenca;

- Rëndësia e komunikimit ndër-institucional në fuqizimin e Policimit të Udhëhequr nga Inteligjenca;

- Bashkëpunimi polici-komunitet;

2. Luftimi dhe Parandalimi i Ekstremizmit të Dhunshëm

Tema kyçe e punëtorisë së dytë do të jetë roli i Policisë dhe mekanizmave tjerë qeveritar dhe jo-qeveritar në funksion të Implementimit të Strategjisë për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm në Kosovë. Qëllimi i kësaj punëtorie është zbërthimi para të pranishmëve i qëllimit që bartë kjo strategji.

- Shtjellimi i Rolit të Policisë së Kosovës, gjyqësorit, dhe institucioneve të tjera qeveritare dhe jo-qeveritare në parandalimin, hetimin dhe gjykimin e rasteve të ndërlidhura me ekstremizmin e dhunshëm;

- Masat e ndërmarra nga ana e institucioneve shtetërore në vetëdijësimin e qytetarëve për rrezikun e ekstremizmit të dhunshëm;

- Rëndësia e bashkëpunimit të institucioneve shtetërore dhe akterëve jo-shtetëror (sidomos Bashkësia e Fesë Islame si dhe Shoqëria Civile), në parandalimin dhe identifikimin e rasteve të ndërlidhura me ekstremizmin, përfshirë këtu edhe denoncimin e narrativëve të përhapur të cilët kanë përmbajtje të dhunshme;

- Rëndësia e bashkëpunimit të institucioneve shtetërore dhe akterëve të tjerë jo-shtetëror në lidhje me vetëdijesimin e qytetarëve për rrezikun që paraqet fenomeni i radikalizmit të dhunshëm, përfshirë edhe formulimin dhe përcjelljen e kundër-narrativëve me përmbajtje de-radikalizuese;

- Temat në lidhje me evitimin e faktorëve që po shpijnë drejt fenomenit të ekstremizmit të dhunshëm, shtimi i asistencës sociale të institucionalizuar për individët me gjendje të rëndë ekonomike, ngritjes së cilësisë së arsimimit, krijimi i mundësive rekreative për të rinjtë, mundësimi i lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës për vizita të ndryshme jashtë vendit; rritja e stabilitetit politik; luftimi i korrupsionit dhe nepotizmit si dhe krijimi i kushteve të barabarta në punësim, përmirësimi i kualitetit të edukimit;

- Praktikat e rehabilitimit të  personave të radikalizuar si dhe format e integrimit të tyre në shoqëri;

 

Aplikimi:

Për të aplikuar në Shkollën për Integrime Evropiane 2016, nga kandidatët kërkohet të përgatisin aplikacionin me dokumentet e mëposhtme:

1. Formën e Aplikimit të cilën mund ta shkarkoni KËTU

2. CV jo më të gjatë se tri faqe.

3. Letër rekomandimi e dedikuar për këtë shkollë – nënshkruar dhe e vulosur nga punëdhënësi.

Kriteret e përzgjedhjes: Kandidatët duhet të dërgojnë dokumentacionin e plotë, të tregojnë interes serioz për pjesëmarrje, si dhe të jenë në gjendje të marrin pjesë në të dyja punëtoritë që organizohen në kuadër të Modulit për Siguri dhe Sundim të Ligjit. Gjithsej 25 kandidatët më të suksesshëm do të përzgjidhen për pjesëmarrje. Aplikacionet e pjesshme nuk do të merren parasysh. Në fund të trajnimit, pjesëmarrësit e suksesshëm do të pajisen me certifikatë.

Vetëm kandidatët e përzgjedhur do të kontaktohen nga ana e QKSS.

Dokumentacioni i plotë duhet të dërgohet në adresën elektronike: [email protected] deri më së largu të henen, me datë 20 Qershor 2016 në ora 23:59.

 

Organizimi:

Të dyja punëtoritë do të organizohen në Shqipëri. Datat preliminare për organizimin e punëtorive janë: 26 – 28 Gusht 2016 dhe 14 – 16 Tetor 2016.

Të gjitha shpenzimet e pjesëmarrësve do të mbulohen nga QKSS/KFOS, duke përfshirë akomodimin, ushqimin, pijet dhe transportin. Gjuha e punës gjatë shkollës është shqipe dhe angleze, dhe do të ofrohet përkthim simultant.

Për informata më të hollësishme mbi Modulin për Siguri dhe Sundim të Ligjit, ju lutem kontaktoni Sofije Kryeziu në adresën elektronike: [email protected] apo në numrin e telefonit +381 (0) 38 221 420 çdo ditë pune prej orës 10:00 – 12:00.