PROFESIONI I POLICISË NË KOSOVË

Drejtori Ekzekutiv i QKSS, Florian Qehaja prezantoi gjetjet e hulumtimit empirik "Profesioni i Policisë në Kosovë: Në mes të risive dhe angazhimit rajonal". Gjetjet janë prezantuar në Departamentin e Shkencave Politike të Universitetit të Prishtinës. Rreth 100 studentë të këtij departamenti morën pjesë gjatë prezantimit, me ç’rast rezultatet e këtyre gjetjeve shkaktuan interesim të madh në mesin e studentëve. Prezantimi u përqendrua në tri gjetjet kryesore: Struktura e pjesëtarëve të policisë, ndarja boshtore e politikave policore dhe bashkëpunimi unik rajonal. Prezantimi shkurtimisht preku teoritë e aplikuara për këto studime, si dhe metodologjinë. Studentët ishin të interesuar kryesisht në metodat e përdorura në realizimin e këtij hulumtimi, si dhe metodologjinë e aplikuar nga QKSS-ja në përgjithësi.

Rreth Projektit

Hulumtimi "Profesioni i Policisë në Kosovë: Në mes të risive dhe angazhimit rajonal" është pjesë e projektit akademik rajonal "Nga zona e konfliktit në komunitetin e sigurisë" i cili është formuar nga partnerë rajonal. Projekti është i përkrahur nga Këshilli Hulumtues i Norvegjisë.