Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) me mbështetje të Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të hapur (KFOS) që nga Prilli 2016 është duke implementuar projektin me titull "Matja e progresit, avokimi dhe ngritja e kapaciteteve të institucioneve të sigurisë në Kosovë".
Ky projekt ka për qëllim analizimin e progresit institucional, avokimin dhe ngritjen e kapaciteteve institucionale në implementimin e politikave specifike në kuadër të sektorit të sigurisë dhe drejtësisë në Kosovë.
Më konkretisht, ky projekt ka për qëllim matjen e progresit të institucione në lidhje me:
1) Policimi i Udhëhequr nga Inteligjenca nga ana e Policisë së Kosovë, si dhe
2) Luftimi dhe Parandalimi i Fenomenit të Ekstemizmit të Dhunshëm në Kosovë.
Gjatë implementimit të këtij projekti, QKSS do të organizoj Shkollën për Integrime Evropiane - Moduli për Siguri dhe Sundim të ligjit. Qëllimi i këtij moduli është të ofrojë një program të veçantë të shkollimit jo-formal mbi çështjet e qeverisjes së sektorit të sigurisë, duke u fokusuar në modelet e qeverisjes së policisë dhe rolin e saj në adresimin e sfidave të sigurisë. Ky modul, në krahasim me atë të kaluarin, ka për qëllim trajtimin e dy temava specifike në kuadër të fushës së gjerë të sigurisë: atë të policimit të udhëhequr nga inteligjenca dhe rolit të policisë në menaxhimin e sfidave të sigurisë sikurse ekstremizmi i dhunshëm. Të dyja çështjet monitorohen në vazhdimësi nga strukturat e BE-së prandaj lypset ngritja e njohurive në këtë drejtim. Përveç tjerash, QKSS përmes këtij moduli synon që të kontribuojë në ngritjen e nivelit të njohurive dhe vetëdijes së pjesëmarrësve të Shkollës për Integrime Evropiane në lidhje me zhvillimin e përgjithshëm të sektorit të sigurisë.