KREMTIMI I 70-VJETORIT TË NATO-S DHE 20-VJETORIT TË ZBARKIMIT TË MISIONIT TË KFOR-IT NË KOSOVË ME TË RINJTË, GRATË DHE KOMUNITETET PAKICË

Qëllimi i përgjithshëm i projektit është angazhimi i publikut në Kosovë, përkatësisht të të rinjve, grave dhe komuniteteve pakicë për kremtimin e 70-vjetorit të nënshkrimit të Traktatit të Atlantikut Verior – NATO@70.

Rreth Projektit

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) nga muaji shkurt 2019, ka filluar implementimin e projektit “Kremtimi i 70-vjetorit të NATO-s dhe 20-vjetorit të zbarkimit të misionit të KFOR-it në Kosovë me të rinjtë, gratë dhe komunitetet pakicë”.

Qëllimi i përgjithshëm i projektit është angazhimi i publikut në Kosovë, përkatësisht të të rinjve, grave dhe komuniteteve pakicë për kremtimin e 70-vjetorit të nënshkrimit të Traktatit të Atlantikut Verior – NATO@70.

Krahas kësaj, projekti do të shënojë edhe 20-vjetorin e zbarkimit të misionit të KFOR-it në Kosovë përmes aktiviteteve vetëdijësuese për kontributin dhe rolin e NATO-s në nivel vendor, rajonal dhe global.

Përmes projektit do të synohet nxitja e bashkëpunimit ekzistues në mes të institucioneve të Kosovës me KFOR-in dhe NALT-in (Ekipit Këshillëdhënës dhe Ndërlidhës të NATO-s në Kosovë) në kuadër të bashkëveprimit të zgjeruar. Si rrjedhojë, objektivat dhe aktivitetet do të kontribuojnë dukshëm në fuqizimin e bashkëpunimit në mes të të gjitha palëve përmes angazhimit aktiv të audiencave përkatëse për të kuptuar rolin e NATO-s në Kosovë.

70-vjetori i NATO-s që ka përkuar me 20-vjetorin e zbarkimit të misionit të KFOR-it në Kosovë do të jetë një nxitës i rëndësishëm për zbatimin e aktiviteteve të projektit. Marrë parasysh që dy ngjarje tepër të rëndësishme do të shënohen përmes këtij projekti, NATO do ta ketë një mundësi të jashtëzakonshme për të ngritur komunikimin në lidhje me rolin e saj në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor. Prandaj, në kuadër të këtij projekti do të ketë aktivitete informuese e vetëdijësuese për audiencat specifike dhe ato të përgjithshme lidhur me përkrahjen që NATO gëzon në Kosovë dhe rajon, si dhe do të vlerësojë ndikimin e kësaj mbështetje. Në këtë drejtim, janë paraparë aktivitete konkrete me politikëbërësit si dhe me të rinjtë, gratë dhe komunitetet pakicë për të nxitur mendimin kritik dhe diskutime për rolin e NATO-s në Kosovë.

Ky projekt mbështetet nga Divizioni për Diplomaci Publike i NATO-s dhe do të zbatohet nga muaji shkurt deri në dhjetor të vitit 2019.