Sot u mbajti konferenca me temën ‘Implementimi i marrëveshjes në mes të Prishtinës dhe Beogradit – Dimensioni i Bashkëpunimit Policor’. Kjo konferencë u mbajt si pjesë e projektit dhe bashkëpunimit rajonal ‘Forumi Rajonal i Sigurisë: Prishtinë-Beograd-Tiranë’, respektivisht Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë nga Kosova, Qendrës së Beogradit për Politikat e Sigurisë nga Serbia, dhe Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim nga Shqipëria. Panelistët ishin: Jan Braathu, Ambasador i Norvegjisë në Kosovë, Ahmet Isufi, Kryetar i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe FSK si dhe Reshat Qalaj, Shef i Departamentit të Operativës në Policinë e Kosovës. Paneli u moderua nga Florian Qehaja, Drejtor i QKSS kurse gjetjet preliminare të hulumtimit u prezentuan nga Fjolla Raifi, Hulumtuese në QKSS.
Konferencë trajtoi një çështje mjaft të ndjeshme në kontekst të raporteve Kosovë-Serbi. Fjala është për bashkëpunimin bilateral policor në mes të dy vendeve ende vazhdon te mbetet një nder sfidat kryesore si rrjedhoje e mos-njohjes se pavarësisë se Kosovës nga ana e Serbisë. Policia e Serbisë ende vazhdon te mos e njeh Policinë e Kosovës si homologe duke vështirësuar bashkëpunimin direkt dhe krijimin e hapësirës se komunikimit përmes përfaqësues te EULEX-it dhe KFOR ne pika kufitare. Mirëpo, ndërmjetësimi i EULEX-it nuk përbënë një zgjidhje afatgjate duke pasur parasysh faktin që misioni pritet që në të ardhmen të reduktohet tutje.
Diskutimi ishte i hapur për akteret relevant te fushës se sigurisë, ku të pranishmit shtruan nevojën që Qeveria e Kosovës të jetë më aktive në forcimin e bashkëpunimit bilateral me të gjitha shtetet.