Të nderuar partnerë, bashkëpunëtorë, përkrahës dhe miq të QKSS, Në emër të institucionit që përfaqësoj më lejoni të Ju drejtohem me rastin e pesë (5) vjetorit të themelimit të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), jubile kjo që po e shënojmë me aktivitete të ndryshme
QKSS është themeluar me datën 17 Prill 2008 si instituti (think tank) i parë i këtij lloji në Kosovë i cili ka për qëllim hulumtimin, monitorimin, mbikëqyrjen dhe raportimin e problematikave institucionale si dhe ato të politikëbërjes brenda sektorit të sigurisë. Ideja për themelimin e saj është e ndërlidhur ngushtë me rrethanat e reja të cilat u krijuan në Kosovën e pavarur ku rezultoi në krijimin e një arkitekture të re të sigurisë. Një fakt i tillë rriti nevojën për ngritjen e llogaridhënies brenda institucioneve tashmë kosovare të sigurisë gjë që shfaqi domosdoshmërinë për inkuadrimin edhe të akerëve të tjerë jashtë-institucional në mbikëqyrjen e këtij sektori, përfshirë këtu edhe shoqërinë civile. Kështu, synimi i themeluesve të QKSS ishte dhënia e kontributit në zhvillimin e këtij sektori brenda kornizave për qeverisje e mbikëqyrje demokratike të sektorit të sigurisë.
Zhvillimi i QKSS gjatë kësaj periudhe ka qenë i hovshëm. Tashmë, ky institucion ushtron veprimtarinë e saj duke ndërthur një mori metodash dhe aktivitetesh me qëllim të mbulimit sa më të mirë dhe të gjithanshëm të sektorit përkatës, duke filluar nga: zhvillimi i hulumtimeve të ndryshme kualitative dhe kuantitative; monitorimi i performancës së institucioneve të sigurisë; avokimi i politikave të ndryshme; organizimi i një numri të madh të konferencave, seminareve dhe ofrimit të platformave për ngritje të kapaciteteve dhe mentorimit; si dhe ofrimin e ekspertizës alternative në çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me sektorin e sigurisë. Në veçanti ne kemi mbuluar temat që ndërlidhen me: sundimin e ligjit; qeverisjen e sektorit të sigurisë; vlerësimin e kërcënimeve e rreziqeve; mbikëqyrjen e perfomancës së institucioneve të sigurisë; bashkëpunimin ndërkombëtar policor dhe juridik; mbrojtjen e privatësisë; transparencën institucionale; qasjen në informacion të klasifikuar; sigurinë sociale e ekonomike. Prandaj, mund të thuhet se gjatë kësaj periudhe pesë vjeçare të ekzistimit të saj, QKSS ka arritur të mbuloj në masë të madhe çështjet e sigurisë në vend duke lansuar më tepër se 30 publikime, gjitha këto të karakterit avokues, shkencorë e informues, të renditura si më poshtë:
o 5 libra (2 libra të QKSS dhe 3 libra ku QKSS ka dhënë kontribut me kapitujt për Kosovën);
o 9 raporte (4 raporte të QKSS dhe 5 raporte ku QKSS ka dhënë kontribut);
o 9 dokumente të politikave
o 7 studime specifike
Të gjitha publikimet kanë mbuluar boshllëkun e hulumtimeve në këtë sferë si dhe i kanë shërbyer një audience të gjerë qoftë vendore apo ndërkombëtare duke përfshirë edhe akterët relevant qeveritar, praninë ndërkombëtare, universitetet, organizatat e shoqerisë civile dhe mediat. Publikimet tona kanë zënë një vend të rëndësishëm ne sferën e hulumtimeve si dhe kanë shërbyer për nevoja të ndryshme nga akterët e interesuar në këtë fushë.
Tutje, ne shfrytëzuam kapacitetet tona për transmetimin e dijeve dhe njohurive tek grupet e caktuara dhe në veçanti, gazetarët e të rinjt hulumtues. Ne aktivisht kemi dhënë opinione të pavarura në mediat vendore e ndërkombëtare që i kanë shërbyer publikut të gjerë. Puna jonë e njohur në qarqe të ndryshme akademike e profesionale ka bërë që të ftohemi në rajone të tjera të botës për të shpërndarë përvojat dhe njohuritë tona në sferën e reformës së sektorit të sigurisë.
Që nga viti 2011, QKSS ka zgjeruar veprimtarinë duke mbuluar edhe sferën e politikës së jashtme dhe atë të drejtësisë. Ne kemi organizuar vizita të ndryshme jashtë vendit dhe, para së gjithash, jemi anëtarësuar në 2 konsorciume rajonale për reformën e sektorit të sigurisë si dhe në një platformë evropiane për ndërtimin e paqës me seli në Bruksel. Rezultatet tona në këto dy dimenzione të reja janë të matshme dhe tejet domethënëse.
Brenda këtyre pesë viteve, ne kemi diversifikuar bashkëpunimin me partnerë të ndryshëm rajonal e ndërkombëtar gjë që ka rezultuar në bashkëpunime të shkëlqyera nëpërmjet projekteve të përbashkëta apo publikimeve të ndryshme.
Dinamika gjatë pesëvjetorit të parë i jep kurajo stafit të QKSS që të vazhdoj tutje dhe intensifikoj aktivitetet në fushëveprimin tonë me qëllim të ofrimit të hulumtimeve ende më cilësore. Përvoja e fituar do të na mbaj të pavarur në qëndrime e mendime, mirëpo të përkushtuar për të shërbyer si një alternativë e çmuar e sektorit edhe ashtu të kufizuar të instituteve në Kosovë.
Shfrytëzojë rastin që t'i falënderohem të gjithë individëve të cilët kanë kontribuar në zhvillimin e qendrës që nga themelimi i saj. Kontributi i secilit ka qenë domethënës dhe në shërbim të ngritjes së QKSS por edhe të kapaciteteve hulumtuese në Kosovë. Ne veçanti, falënderoj donatorët dhe partnerët në rritje të QKSS të cilët patën rol të rëndësishëm në ngritjen dhe konsolidimin tonë.
Ne presim bashkëpunim me të gjithë partnerët, miqtë dhe të interesuarit në të ardhmen në mënyrë që të ngrisim tutje cilësinë e hulumtimeve në QKSS dhe rrjedhimisht në shoqërinë kosovare.
Sinqerisht,
Florian Qehaja