EUNPACK

Qëllime të mira, rezultate të përziera - shpalosja e qasjes gjithëpërfshirëse të BE-së ndaj konfliktit dhe mekanizmave të krizës

EUNPACK

Rreth Projektit

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë(QKSS) nga viti 2016 është e angazhuar në projektin “Qëllime të mira, rezultate të përziera - Shpalosja e qasjes gjithëpërfshirëse të BE-së ndaj konfliktit dhe mekanizmave të krizës(EUNPACK)”, si pjesë e konsorsiumit akademik me bazë në BE, i financuar nga skema e granteve të Komisionit Evropian Horizon2020.

Fokusi i konsorsiumit EUNPACK është shpalosja e mekanizmave të BE-së për reagim ndaj krizave, me qëllim rritjen e ndjeshmërisë dhe efikasitetit të BE-së ndaj konfliktit. Duke kombinuar perspektivën poshtë-lart me një qasje institucionale, EUNPACK synon të rrit kuptueshmërinë se si funksionon reagimi i BE-së ndaj krizave dhe si pranohet ajo në zonat e krizës. Kjo nënkupton hulumtimin e rolit të akterëve lokal në këtë drejtim dhe perceptimin qytetar dhe institucional ndaj kësaj teme në shtetet e targetuara, duke mos lënë anash pritjet dhe ambiciet e institucioneve të BE-së. Gjithashtu, përmes këtij projekti synohet analiza e ciklit të krizës, nga periudha para, gjatë dhe pas krizës.

EUNPACK analizon dy boshllëqe në përgjigjen e BE-së ndaj krizave:

1. Hendekun e implementimit të qëllimeve (Kapacitetet për marrjen e vendimeve me përgjigje të unifikuar dhe shpërndarja e resurseve të nevojshme; si përgjigja ndaj krizave implementohet në terren nga institucione të ndryshme të BE-së dhe shteteve partnere dhe si akterë të tjerë – lokal dhe ndërkombëtarë – forcojnë ose dobësojnë aktivitetet e BE-së);

2. Hendekun mes implementimit të politikave dhe qasjes së BE-së dhe si ato priten dhe perceptohen në shtetet e targetuara. Në kuadër të këtij projekti, QKSS ka zhvilluar 100 pyetësorë në Mitrovicën e Jugut me qëllim marrjen e  opinionit të qytetarëve rreth reagimit dhe menaxhimit të krizave nga institucionet e BE-së dhe institucionet tjera relevante dhe matjen e njohurive të tyre mbi këtë temë. Gjithashtu, QKSS ka organizuar një grup të fokusit me akterë lokal për të njëjtën temë, përmes të cilit është synuar identifikimi i shkallës së implementueshmërisë të reagimit ndaj krizave në terren, sfidat e implementimit të mekanizmave për reagim ndaj krizave dhe si institucionet dhe organizatat lokale kanë kontribuar në këtë drejtim. QKSS ka përgatitur një dokument të politikave për mekanizmat e reagimit ndaj krizave në Kosovë, në të cilin është përfshirë edhe interpretimi i të dhënave të marra nga opinionet e qytetarëve dhe akterëve relevant lidhur me këtë çështje. Përveç të tjerash, QKSS do të publikojë edhe një artikull akademik në këtë drejtim.

Projekti EUNPACK do të vazhdojë deri në Prill të vitit 2019. Organizata udhëheqëse e konsorsiumit është Instituti Norvegjez për Politika të Jashtme (NUPI) dhe përveç QKSS-së pjesë e konsorsiumit janë:

 Universiteti i Manchesterit, Angli;

 Universiteti Freie i Berlinit, Gjermani;

 Qendra për Studime të Politikave Evropiane(CEPS), Belgjikë;

 Universiteti i Bratisllavës, Sllovaki;

 Shkolla për Studime të Avancuara “Sant-Anna”, Itali;

 Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë, Serbi;

 Universiteti Nacional i Kievit – Akademia Mohyla, Ukrainë;

 Qendra Nacionale Franceze për Hulumtime Shkencore, Francë;

 Aleanca për Rindërtimin Qeverisës në Afrikë(ARGA), Afrikë;

 Instituti Hulumtues për Lindjen e Mesme, Irak.