Drejtori Ekzekutiv i QKSS, Florian Qehaja mori pjesë në seminarin e tretë të Akademisë Rajonale për Demokraci (ARD): Reformat në sistemin gjyqësor në rajon. Në këtë takim u diskutuan dhe prezantuan tema me një shumëllojshmëri të gjerë, të tilla si: të arriturat dhe të metat e reformimit të gjyqësorit në rajon; pavarësia e gjyqësorit; qasja në drejtësi për të gjithë; lidhja midis gjyqësorit dhe organeve të pavarura rregullatore dhe bashkëpunimi i gjyqësorit.
Drejtori i QKSS gjithashtu mori pjesë në ceremoninë e anëtarësimit të Kroacisë në Bashkimin Evropian, e cila u mbajt në qendër të Zagrebit.
Akademia Rajonale për Demokraci synon të kontribuojë në bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor në fushat e demokracisë, të drejtave të njeriut, drejtësisë dhe ngritjen e institucioneve përmes ndërtimit të kapaciteteve të gjeneratës së ardhshme të lidershipit politik, si dhe lehtësimin e mirëkuptimit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit.
ARD është e përkushtuar ndaj aktorëve politikë tanimë të themeluar, të cilët në të ardhmen e afërt do të formojnë nivelin më të lartë të udhëheqjes politike dhe aspiron të formojë një infrastrukturë njerëzore që do të ndihmojë të ngritë proceset aktuale të demokratizimit, të ruajë standardet e të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve mbi interesat politike ose kombëtare, dhe të përqafojnë një frymë të bashkëpunimit rajonal dhe pajtimit me fqinjët.