16/10/2018
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) me mbështetjen e Divizionit të Diplomacisë Publike të NATO-s (PDD) kanë organizuar vizitë studimore në Zyrat qendrore të NATO-s në Bruksel. Vizita studimore është duke u zhvilluar në selinë e NATO-s në Bruksel dhe Shtabin Suprem të Forcave Aleate të Europës (SHAPE) të vendosura në Mons, Belgjikë. Vizita studimore dy-ditore do të mbahet nga 15 deri më 16 tetor 2018.
QKSS së bashku me PDD-në e NATO-s ka sjellë dymbëdhjetë përfaqësues të Kosovës nga shoqëria civile, mediat dhe akademia, si dhe përfaqësuesit kryesorë të NATO-s për të diskutuar dhe ndarë njohuritë mbi çështjet relevante në lidhje me të ardhmen euroatlantike të Kosovës.
Gjatë ditës së parë të vizitës në Zyrat Qendrore të NATO-s, pjesëmarrësit janë informuar për NATO-n agjendën aktuale politike, partneritetet e NATO-s dhe rolin e saj në Ballkanin Perëndimor, si dhe për operacionet e NATO-s me fokus misionin e KFOR-it në Kosovë, duke u konsideruar si një nga storiet më të sukseshme në histori të misioneve paqeruajtëse të NATO-s.
Marrëdhëniet aktuale komplekse midis Kosovës dhe NATO-s nëpërmjet ndërveprimit të zgjeruar, perspektiva e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perendimor në NATO, ndikimi i Rusisë në Ballkanin Perëndimor, çështje të lidhura me NATO-n dhe Ballkanin Perëndimor janë diskutuar kryesisht me zyrtarë të lartë të Shtabit të NATO-s të përfshirë drejtpërdrejt në rajon dhe Kosovë. Gjithashtu, u organizua edhe një tryezë e rrumbullakët me përfaqësuesit e Delegacioneve të NATO-s nga Shqipëria dhe Mbretëria e Holandës ku u diskutua për bashkëpunimin rajonal në lidhje me qëndrimet e vendeve anëtare të NATO-s drejt çështjeve politike dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor.