QKSS në DISICON: Prezantimi i Raportit “Ndërlidhja mes dezinformimit dhe marrëdhënieve ndëretnike në Kosovë”

13/12/2024

QKSS në DISICON: Prezantimi i Raportit “Ndërlidhja mes dezinformimit dhe marrëdhënieve ndëretnike në Kosovë”

 

Më 9 dhjetor, ekipi i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) pati kënaqësinë të marrë pjesë në DISICON - ngjarja për integritetin e informacionit, organizuar nga NDI Kosovë dhe USAID Kosovë. Ekipi i QKSS-së ishte pjesë e fillimit të ngjarjes, ku Jeta Loshaj, hulumtuese në QKSS prezantoi gjetjet e një punimi hulumtues të titulluar “Të kuptojmë se si dezinformimi shënjestron marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë”. Punimi është hartuar nga stafi i QKSS, Dr. Ramadan Ilazi (Shef i Hulumtimeve në QKSS), Jeta Loshaj, dhe Tamara Pavlovic (Praktikante në QKSS), me mbështetjen e NDI Kosovë dhe USAID Kosovë.

Qëllimi i punimit ishte hulumtimi i fenomenit të dezinformimit të diskutuar gjerësisht kohëve të fundit dhe se si ky fenomen ndikon në marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë. Për të ofruar një pasqyrë gjithëpërfshirëse të temës dhe hulumtimit, punimi u fokusua në elementët kryesorë të mëposhtëm:

- Identifikimi i faktorëve që i bëjnë marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë të cenueshme ndaj dezinformimit.

- Cilat janë burimet që shpërndajnë dhe amplifikojnë dezinformatat që synojnë marrëdhëniet ndëretnike.

- Ndikimi i kësaj dukurie në komunikimin ndëretnik, besimin institucional dhe përpjekjet për pajtim.

- Rekomandimet dhe aktorët kryesorë që duhet të merren parasysh dhe të marrin rol, përkatësisht, në adresimin e fushatave të dezinformimit.

Përderisa drafti përfundimtar i punimit nuk është publikuar ende, gjetjet kryesore që u prezantuan thonë se prezenca e lartë e dezinformimit në Kosovë pasqyron një ekosistem të rrënjosur dezinformues që lulëzon në dobësitë që duron shoqëria. Për më tepër, dezinformimi përforcon mosmarrëveshjet politike, historinë dhe stereotipet negative duke portretizuar anëtarët e grupeve etnike kundërshtare si agresorë ose si kërcënues. Burimet e dezinformatave madje kanë bërë që të pretendohet se do të ketë një luftë të afërt mes Kosovës dhe Serbisë.

Burimet më të njohura për përhapjen e dezinformatave përfshijnë faqet e lajmeve në internet, mediat sociale si Facebook, Instagram, X, Telegram, por edhe thashethemet që qarkullojnë në qarqe më të vogla dhe të izoluara. Prezantimi i raportit është ilustruar me disa shembuj, sic është ai i sulmit terrorist në Banjskë, i cili është perceptuar dhe portretizuar nga komuniteti shqiptar dhe serb ndryshe, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, masat e Qeverisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit dhe ngjarje të tjera të ngjashme. Përfundimi ishte se një fushatë kaq e përhapur dezinformuese jo vetëm që ndikon në besimin dhe komunikimin brenda komuniteteve, por gjithashtu trajton besimin institucional dhe dëmton përpjekjet për pajtim. Kjo është arsyeja pse duhet të merren parasysh disa rekomandime. Disa prej tyre përfshijnë: mbështetjen nga qeveria për iniciativat e kontrollimit të fakteve dhe fushatat e edukimit mediatik, më shumë komunikim dhe bashkëpunim me palët e interesuara si shoqëria civile dhe mediat për të parandaluar dezinformimin, dhe duke përfshirë edukimin mediatik në shkolla.

Versioni i plotë i punimit “Lidhja mes dezinformimit dhe marrëdhënieve ndëretnike” do të publikohet së shpejti në platformat e QKSS dhe NDI Kosovë.