23/11/2018
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) më 23 nëntor 2018, ka publikuar Edicionin e tetë të raportit Barometri Kosovar i Sigurisë - një program i veçantë, përmes të cilit QKSS bën matjen e përceptimeve publike. Ky edicion ka matur besimin e qytetarëve të Kosovës ndaj institucioneve kryesore të sigurisë dhe drejtësisë në vend.
Edicioni i tetë i BKS-së përbëhet nga dy kapituj. Kapitulli i parë bën matjen e përceptimeve të qytetarëve lidhur me besimin në institucionet e sigurisë, drejtësisë si dhe në institucione qëndrore, ndërsa kapitulli i dytë regjistron përceptimet e qytetarëve lidhur me rreziqet e brendshme si dhe kërcënimet të cilat e kanosin Kosovën.
Prezantimi i gjetjeve të BKS 2018 u bë nga Donika Marku, hulumtuese në QKSS. Institucionet e sigurisë vazhdojnë të jenë më të besuarat në Kosovë. Qytetarët e Kosovës u besojnë institucioneve të sigurisë më shumë se atyre të drejtësisë ose atyre qendrore. Forca e Sigurisë së Kosovës përsëri është rradhitur si institucioni më i besueshëm në Kosovë. 77% e të anketuarëve janë shprehur se i besojnë FSK-së. Sipas gjetjeve të BKS 2018, Policia e Kosovës (KP) vazhdon të jetë një institucion i besueshëm në sytë e qytetarëve, ku 61% të qytetarëve janë shprehur se i besojnë këtij institucioni.
Në anën tjetër, AKI qëndron si institucioni i sigurisë i cili gëzon besimin më të ulët ku vetëm 20% të të anketuarëve kanë thënë se i besojnë këtij institucioni. Pas prezantimit të raportit, u hap diskutimi rreth gjetjeve të raportit ku pjesëmarrësit dhanë komentet e tyre lidhur me faktorë apo ngjarje që shpien deri në këto përceptime të qytetarëve.
Të pranishëm në publikim ishin përfaqësues nga Forca e Sigurisë së Kosovës, Policia e Kosovës, organizata të shoqërisë civile, ambasada si dhe mediat.
Raportin mund ta gjeni KËTU