5/06/2018
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), sot, më 05 Qershor 2018 në bashkëpunim me Humani Center dhe NGO Aktiv nga Mitrovica e Veriut organizuan tryezën e rrumbullakët me titull “Parandalimi i ekstremizmit religjioz, etnik dhe politik në Kosovë: Perspektiva e komunitetit të Zvecanit” në Grabovc të Zveçanit në kuadër të projektit “Mbështetje e mëtejshme Institucioneve të Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe ekstremizmit të dhunshëm, projekt ky i cili implementohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë përmes B&S Europe me seli në Bruksel.
Tryeza kishte për qëllim diskutimin me qytetarët e Zveçanit rreth “Strategjisë Nacionale për Parandalimin të Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që shpije në Terrorizëm 2015 –2020” dhe rolin e tyre në implementimin e kësaj strategjie. Pjesëmarrësit diskutuan mbi problemet që ballafaqohet komuniteti në komunën e Zveçanit dhe theksuan rëndësinë e komunikimit të rregullt mes qeverisë lokale dhe qendrore për adresimin e këtyre problemeve.
Pjesëmarrës në këtë tryezë ishin përfaqësues nga Policia e Kosovës – Zveçan, përfaqësues nga komuna e Zveçanit dhe këshilli komunal për siguri në bashkësi pranë komunës së Zveçanit, përfaqësues të misioneve diplomatike, civile dhe ndërkombëtarë në Kosovë, numër i madh i qytetarëve të Zveçanit dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile me bazë në komunat me shumicë serbe.