MBIKËQYRJA PARLAMENTARE PËR POLICINË E KOSOVËS

18/04/2018

MBIKËQYRJA PARLAMENTARE PËR POLICINË E KOSOVËS

Në kuadër të projektit rajonal POINTPULSE, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) me 18 prill organizoi në Prishtinë, konferencën për integritetin e policisë në Kosovë me titull "Mbikëqyrja Parlamentare e Policisë së Kosovës ". Konferenca theksoi në veçanti rolin e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Punëve të Brendshme, Siguri dhe FSK.

Duke pasur parasysh ngjarjet e fundit të ndodhura në Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës, Komisioni Parlamentar po aktivizohet për të ushtruar rolin e tij në mbikëqyrjen e policisë me qëllim për të forcuar integritetin e policisë në Kosovë. Zëvendës-kryetari i parë i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, Z. Rexhep Selimi ka theksuar se brenda komisionit është krijuar një Grup Punues  për të monitoruar zbatimin e Ligjit për Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) në mënyrë që të vlerësojë nëse legjislacioni primar është zbatuar gjatë veprimeve të IPK-së në drejtim të policisë, si dhe në qeverisjen e brendshme të vetë IPK-së.

"Ka probleme brenda Inspektoratit Policor, Policisë së Kosovës dhe për këtë arsye ka nevojë përgatitja e rekomandimeve. Megjithatë, sfida më e madhe është se rekomandimet e Komisionit Parlamentar nuk respektohen dhe zbatohen nga institucionet përkatëse, si p.sh. Qeveria dhe institucione të tjera ", tha Selimi në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Kosovës.

Besimi i qytetarëve të Kosovës në institucionet e sigurisë, me theks të veçantë në Policinë e Kosovës është shumë i rëndësishëm, tha Z. Fatmir Xhelili, anëtar i Kuvendit të Kosovës dhe Komisionit për Punë të Brendshme,  Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së. Përveç kësaj, ai ka treguar se Komisioni tashmë është takuar me përfaqësuesit e IPK-së me qëllim të hartimit të një raporti lidhur me mbikëqyrjen e Ligji për IPK-në. Përveç kësaj, konsiderohet se ekziston një bashkëpunim i mirë mes Kuvendit të Kosovës me Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Policisë së Kosovës nga Drejtoria për Zhvillimin e Performancës dhe Karrierës, Brahim Sadriu, tha se Plani i Integritetit i Policisë së Kosovës, i cili është hartuar disa muaj më parë ka filluar të zbatohet që nga 1 janari i këtij viti. Lidhur me mbikëqyrjen parlamentare, Sadriu përmendi që Komisioni përkatës i Kuvendit mund të japë kontributin e tij për të rritur integritetin e Policisë së Kosovës përmes aktiviteteve monitoruese.

Përveç çështjeve të diskutuara në konferencë, Hulumtuesi i QKSS, Plator Avdiu tha se Inspektorati Policor duhet të shkojë nën reforma institucionale në mënyrë që të fitojë kredibilitetin e saj për të ndërtuar dhe rritur integritetin e policisë në Kosovë. "Duke ditur se ka disa hetime ndaj IPK-së, së pari duhet të reformohet ky institucion në mënyrë që të japë kontributin e tij në integritetin e policisë".

Anëtarët e Kuvendit të Kosovës deklaruan se përfshirja e aktorëve jo-shtetërorë, si media dhe organizatat e shoqërisë civile në Kosovë, do të ishte një vlerë e shtuar ndaj mbikëqyrjes demokratike të Policisë së Kosovës. Në këtë drejtim, QKSS përmes ekspertizës së saj dhe në bashkëpunim me akterët relevantë do të kontribuonte në integritetin, qeverisjen e mirë dhe demokratizimin e sektorit të sigurisë në Kosovë, me theks të veçantë në Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës.

Kjo konferencë u organizua në kuadër të projektit "Pulsi i Ballkanit Perëndimor për Integritetin dhe Mirëbesimin e Policisë". Projekti mbështetet nga Bashkimi Evropian përmes programit "Shoqëria e Shoqërisë Civile". Pikëpamjet e shprehura në projekt janë ekskluzivisht pikëpamjet e QKSS dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.