LUFTIMI I EKSTREMIZMIT TË DHUNSHËM DHE TERRORIZMIT PËRMES KOMUNIKIMIT

12/04/2018

LUFTIMI I EKSTREMIZMIT TË DHUNSHËM DHE TERRORIZMIT PËRMES KOMUNIKIMIT

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) sot me 12 Prill 2018 organizoi punëtorinë njëditore me mediat vendore me temën “Luftimi i Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Terrorizmit përmes komunikimit”, projekt ky i cili mbështetet nga Ambasada Amerikane në Prishtinë.

Ky trajnim u organizua për gazetarët dhe redaktorët të cilët janë pjesë e mediave nacionale dhe mbulojnë tematikat e sigurisë, drejtësisë,  politikës dhe ekstremizmin e dhunshëm në mediumet përkatëse. Trajnimi ka për qëllim vetëdijësimin e mediave  lokale, kombëtare dhe rajonale mbi fenomenin e ekstremizmit të dhunshëm dhe trajtimin e kontekstit të përgjithshëm të ekstremizmit të dhunshëm, terminologjisë së përdorur për të përshkruar fenomenin dhe diskutimin  diskutimin mbi  rolin e mediave në prodhimin e kundër narrativave të ekstremizmit të dhunshëm.

Në këtë punëtori u diskutua për rolin e mediave në parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm, metodat më të mira për raportimin e fenomenit dhe mbi mënyrën e qasjes së mediave ndaj aktorëve kryesorë në trajtimin e problemit dhe atyre të prekur nga fenomeni. Pjesëmarrësit trajtuan mënyrat e shmangjes së raportimit i cili pa dashje i bën materialet propaganduese ekstremiste më të qasshme dhe qëndrueshme dhe si të verifikojnë origjinalitetin e informacionit para se të raportohet rreth çështjes.

Punëtoria trajtoj problemin e ekstremizmit të dhunshëm me një analizë të shkurtër të zanafillës së tij deri tek kohët e sotme. Pjesëmarrësit diskutuan mbi burimin e problemit dhe për faktorët shtytës që shpien deri te ekstremizmi i dhunshëm në perspektivë ndërkombëtare dhe me theks të veçantë në Kosovë. Rëndësi iu kushtua

terminologjisë së përdorur nga mediat e cila është pikë kyqe në informimin e drejtë rreth problemit. U theksua rëndësia e unifikimit të terminologjisë së përdorur nga të gjithë akterët në shërbim të qëllimit të përbashkët, informimit të drejtë të qytetarëve.

Kjo punëtori mblodhi rreth 30 persona nga mediume të ndryshme  Kosovare. Kjo punëtori është veprim kyç në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm duke pasur parasysh faktin se mediat gëzojnë influencë të lartë në shoqëri dhe raportimi adekuat mbi fenomenin është esencial në parandalimin e tij.