3/02/2017
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) të ënjtën, më 02 shkurt 2017, ka organizuar konferencën njëditore me titull “Kosova në Kontekst Rajonal: Alternativat kundrejt dialogut me Serbinë, dhe raportet e fuqisë ushtarake në rajon”.
Kjo konferencë kishte për qëllim të jep përgjigje shqetësimeve për të ardhmen e dialogut me Serbinë si dhe fuqive ushtarake në rajon duke sjellur një numër të politikbërësve, studiuesve, akademikëve, dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile për të diskutuar gjetjet kryesore të perceptimeve të qytetarëve ndaj bashkëpunimit rajonal dhe dialogut me Serbinë. Fokus të veçantë në diskutimet e panelit ishin alternativat që ka Kosova në raport me Serbinë, si dhe rritja e fuqisë ushtarake në rajon, dhe nevoja për transformim të Forcës së Sigurisë të Kosovës në ushtri.
Të ftuar në panelin e parë “Kosova në raport me Serbinë: Cilat janë alternativat për dialogun?” ishin:
Naim Rashiti – Aktivist i Shoqërisë Civile, Drejtor Ekzekutiv i Grupit të Ballkanit për hulumtimin e politikave, Dardan Velija – Opinionist dhe Milica Andric – Drejtoreshë programi në OJQ Aktiv. Paneli u moderua nga Drejtori i QKSS, Florian Qehaja përderisa paneli kishte për qëllim të diskutojë rreth:
Cilat ishin dështimet më të mëdha të Qeverisë së Kosovës në raport me Serbinë në dialog?
• Çka do të garantonte implementim më të mirë të marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel?
• Kush ka përfituar më shumë nga dialogu? A do të ketë fitues nga ky proces, dhe çfarë skenarësh do të ketë në të ardhmen?
• Cilat janë alternativat e Kosovës në vazhdim, a do të ketë riformatim, dhe çka nënkupton riformatimi?
Ndërsa, të ftuar në panelin e dytë “Ngritja e kapaciteteve Ushtarake në Rajon – thirrje për transformim të FSK-së” ishin:
Z. Nuredin Ibishi – Deputet, Kuvendi i Republikës së Kosovës, Z. Agim Musliu – Analist, Z. Bislim Zyrapi – Këshilltar për Siguri i Presidentit të Republikës së Kosovës dhe Z. Fadil Hadërgjonaj - Këshilltar ushtarak, Ministria e Forcës së Sigurisë të Kosovës.
Temat për Diskutim:
• Sa rrezikohet rajoni nga ngritjet e kapaciteteve ushtarake – gara në mes të Kroacisë dhe Serbisë?
• Si mund të kundërpërgjigjet Kosova thirrjeve për luftë nga Serbia, dhe destabilizimit të rajonit?
• A është Kosova e gatshme që të filloj procesin e transformimit të FSK-së në ushtri?
• Cilat janë sfidat kryesore që po e mbajnë peng këtë proces?