Konferenca përmbyllëse e projektit “Ndërtimi i Resiliencës: Forcimi i kapaciteteve sprovuese dhe korrektuese kosovare në procesin e pas lirimit të ekstremistëve të dhunshëm

23/09/2022

Konferenca përmbyllëse e projektit “Ndërtimi i Resiliencës: Forcimi i kapaciteteve sprovuese dhe korrektuese kosovare në procesin e pas lirimit të ekstremistëve të dhunshëm

Me datën 20/09/2022, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka organizuar konferencën përmbyllëse të projektit “Ndërtimi i Resiliencës: Forcimi i kapaciteteve sprovuese dhe korrektuese kosovare në procesin e pas lirimit të ekstremistëve të dhunshëm” në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve Ndërkombëtare (CeSI) me bazë në Romë, Itali. 

Konferenca u hap me fjalë rasti nga Drejtori Ekzekutiv i QKSS-së Mentor Vrajolli, Udhëheqësi i Analizave të CeSI Marco Di Liddo, Ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës Xhelal Sveçla dhe Ambasadori i Italisë në Kosovë sh.t.z Antonello De Riu, ku u theksua nevoja për rritje të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Italisë në fushën e rehabilitimit dhe riintegrimit, rëndësia e akademisë dhe instituteve hulumtuese në rritjen e kualitetit të institucioneve shtetërore në të gjitha nivelet, problemet e ekstremizmit të dhunshëm dhe problemet ekonomike që shkaktojnë këto cështje si dhe mënyrat më të mira për të trajtuar të riatdhesuarit nga zonat e luftave.

Më tej, nga Skënder Përteshi (QKSS) dhe Marco Di Liddo (CeSI) u bë prezantimi i raportit hulumtues me fokus të shkëmbimit të ideve dhe metodave që lidhen me parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe zbatimit të rehabilitimit dhe riintegrimit në nivel lokal dhe qëndror. U cek fakti që ngecjet kryesore në fushën e R&R janë koordinimi ndër-institucional dhe mungesa e krijimit të lidhjes në mes të dënimit dhe jetës në komunitet pas dënimit të luftëtarëve të riatdhesuar.

Paneli i parë në këtë konferencë ndëkombëtare me temë “Rreziqet dhe kërcënimet e reja - terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm në Ballkanin Perëndimor” që u përbë nga Besa Ismaili, ligjëruese në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë, Ramadan Ilazi, udhëheqës i hulumtimeve në QKSS, Fabian Zhilla, ekspert i çështjeve të sigurisë në Shqipëri, Samet Shabani, Drejtor Ekzekutiv i  Horizon Civitas dhe Rebeka Qena, moderatore e panelit (CDF). Gjatë këtij diskutimi u përmend që luftimi i këtij fenomeni mund të bëhet vetëm përmes nivelit të zhvillimit të shoqërisë dhe suksesit që ka demokracia, reformat dhe sundimi i ligjit dhe se si demokracia është e suksesshme vetëm përmes vullnetit të motivuar të qytetarëve. Më tej u shpalosën arsyjet e radikalizmit si gara për narrativa kundërthënëse për të kaluarën, izolimi i qytetarëve dhe përpjekjet për të dështuar Kosovën si shoqëri multi-etnike.

Paneli i dytë u përbë nga Sabrina Martucci, eksperte e R&R nga Italia, Fadil Hyseni, përfaqësues i Shërbimit Korrektues së Kosovës, Teuta Avdimetaj, eksperte e Kundër-Terrorizmit, Sami Hajrullahu, përfaqësues i Shërbimit Sprovues së Kosovës, Mensur Hoti, Drejtor i Departamentit për Siguri Publike (MPB) dhe Marco Di Liddo si moderator. Tematika e këtij paneli ishtë “Politikat e R&R në Kosovë dhe Itali”. Gjatë diskutimit u theksua që neutralizimi religjioz është një lëvizje kundër parimeve njerëzore dhe se si studimet në nivele akademike mund të jenë të eksperimentueshme në implementim, për deri sa ka interesim nga nivelet qëndrore. Më tutje u shtua që ndryshimet në kornizën ligjore janë metoda efikase për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe se procesi i riatdhesimit është i domosdoshëm por se të riatdhesuarit duhet ekzaminohen.

Ky projekt u mbështet financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunim Ndërkombetar e Italisë, nën mbikëqyrjen e Ambasadës së Italisë në Kosovë.