INTEGRITETI I POLICISË SË KOSOVËS

26/11/2015

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), të enjtën, 26 Nëntor 2015 ka organizuar konferencën: "Integriteti i Policisë së Kosovës". Qëllimi i kësaj konference ishte nxitja e diskutimeve lidhur me sfidat dhe prioritetet e ndërtimit të mekanizmave të qëndrueshëm të integritetit të policisë në Kosovë, me theks të veçantë tek çështjet më të ndjeshme të integritetit policor.

Gjatë konferencës hulumtuesit e QKSS-së, Skender Perteshi dhe Plator Avdiu kanë prezentuar të dhënat nga hulumtimi: “Vlerësimi i integritetit në Policinë e Kosovës”. Ky raport ka për qëllim të vlerësojë dhe analizojë integritetin në polici, si dhe të adresojë problemet dhe sfidat kryesore në këta sektorë të policisë për të ngritur profesionalizimin e policisë: transparencën, depolitizimin, menaxhimin e burimeve njerëzore, financat dhe prokurimin publik, kontrollin e brendshëm dhe mbikëqyrjen e jashtme të policisë. Edhe pse policia renditet ndër institucionet më të besueshëm nga qytetarët e Kosovës, megjithatë pavarësia dhe integriteti i saj është vënë në pikëpyetje dhe ka nevojë për më shumë progres në fushat e lartëpërmendura.

Gjithashtu, në të njëjtën ditë janë prezantuar rezultatet për integritetin e policisë në tri vende të rajonit – Beograd, Podgoricë dhe Sarajevë – nga partnerët rajonalë të projektit: Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë (BCSP), Instituti Alternativa (IA) dhe Qendra për Studime të Sigurisë (CSS).

Kjo konferencë është organizuar në kuadër të projektit “Pulsi i Integritetit dhe Besueshmërisë në Ballkanin Perëndimor: POINTPULSE”, që mbështetet nga Bashkimi Evropian përmes programit për Facilitetin e Shoqërisë Civile (EuropeAid/136-034/C/ACT/Multi). Aktivitet tona mund t’i ndiqni në www.pointpulse.net ose në Twitter @POINTPULSEnet #BalkanCops dhe #POINTPULSE.

Galeri nga konferenca