27/06/2014
Të premten, më 27 Qershor 2014, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë (BCSP), dhe Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) zhvilluan takimin e gjashtë të Forumit Hulumtues për Siguri: Beograd-Prishtinë-Tiranë.
Gjatë kësaj konference kryesisht u diskutua rreth Aspekteve të Sigurisë në Normalizimin e Marrëdhënieve mes Beograd-Prishtinës-Tiranës, me fokus të veçantë në rolin dhe angazhimin e policisë në procesin e përgjithshëm të normalizimit. Konferenca ishte e ndarë në dy panele duke nxitë diskutime dhe pyetje edhe nga audienca.
Paneli i parë kryesisht u fokusua në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit në aspektet e sigurisë dhe pritjet e qytetarëve të Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë nga qeveritë e tyre. Të tre panelistët, Florian Qehaja, Drejtor Ekzekutiv i QKSS, Sonja Stojanovic Gajiq, Drejtore e BSCP, dhe Arjan Dyrmishi, Drejtor i Hulumtimeve në IDM, prezantuan perspektivat e tyre në të arriturat më të mëdha dhe sfidat e mbetura të zbatimit të aspekteve të sigurisë nga dialogu Prishtinë- Beograd, si dhe efektivitetin e BE-së në procesin e përgjithshëm të normalizimit.
Paneli i dytë në veçanti diskutoi mbi rolin e policisë në normalizimin e marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe serbeve si dhe integrimin e pakicave etnike në institucionet e sigurisë. Ky panel gjithashtu shpalosi të gjeturat kryesore të tre botimeve të përbashkëta nga hulumtuesit e QKSS dhe BCSP, të cilat janë bërë paralel në Prishtinë dhe Beograd si pjesë e aktivitetit Shkëmbim i Hulumtuesve në kuadër të Forumit Hulumtues për Siguri.
Hulumtuesja e QKSS, Sofije Kryeziu, prezantoi të gjeturat kryesore mbi integrimin e shqiptarëve në Policinë serbe në tri komunat në jug të Serbisë, duke u fokusuar kryesisht në sfidat e vazhdueshme të këtij procesi. Progresi i arritur dhe sfidat e mbetura nga Marrëveshja e Brukselit mbi integrimin e policëve serbë në Policinë e Kosovës janë prezantuar gjithashtu nga hulumtuesja e BCSP, Maja Bjelos, e cila shpalosi rekomandimet e dala nga ky studim për qëllim të përmirësimit të këtij procesi. Ky panel ka shpalosur gjithashtu për herë të parë të gjeturat kryesore mbi rolin dhe bashkëpunimin e policisë së Kosovës dhe Serbisë në përmisimin e marrëdhënieve mes këtyre dy shteteve, sidomos në aspektin e kontrollit kufitar. Studimi u zhvillua nga Shpend Kursani, Hulumtues në QKSS, gjatë qëndrimit të tij në Beograd si pjesë e Shkëmbimit të Hulumtuesve.
Paneli gjithashtu ka prezantuar edhe perspektivat dhe përvojat e dy përfaqësuesve institucionalë në Serbi, Riza Halimi, deputet në Parlamentin e Serbisë, dhe Slaviša Arsenijević, përfaqësues nga Ministria e Punëve të Brendshme nga Serbia.