8/03/2023
Autore: Adelina Hasani, për Prizma Medium
Përderisa dhuna dhe përdhunimet ndaj grave vazhdojnë të ushtrohen sistematikisht, institucionet, sidomos ato të sigurisë, vazhdojnë ta legjitimojnë atë duke trajtuar vetëm si problem dhe fenomen social.
Në anën tjetër, siguria është e maskulinizuar, pasi mendohet dhe konceptohet vetëm sipas nevojave të burrave, duke mos parë nevojat, kërcënimet dhe përvojat e grave. Siguria e grave mbetet jashtë përkufizimeve të sigurisë, dhe kjo më së miri shihet nga mënyra se si gratë vazhdojnë të ndihen të kërcënuara në hapësira publike e private. Dhe kur themi që shtëpia është vendi më i sigurt, dihet se një narrativë e tillë është dominuar nga burrat, ku përvojat e grave bëhen të padukshme. Sepse për gratë, një nga vendet më të rrezikshme janë pikërisht shtëpitë e tyre.
Përderisa pasiguria e grave është eminente në Kosovë dhe siguria e tyre arrihet vetëm nëse janë nën mbrojtjen e burrave – veçanërisht në hapësirat publike – kjo tregon se të drejtat e grave si qytetare ushtrohen vetëm përmes burrave. Siç përmend edhe Andrew Paker në librin ‘Nacionaliteti dhe Seksualiteti’, gratë gëzojnë të drejtat e qytetarisë vetëm nëpërmjet burrave – duke u martuar me një burrë – kështu gratë trajtohen si subjekte që ka nevojë për mbrojtjen e burrave, dhe jo si qytetare me të drejta të plota.
Luftimi i dhunës ndaj grave nga të gjitha nivelet institucionale dhe arritja e barazisë dhe drejtësisë për gratë vazhdon të trajtohet si një temë e cila lehtësisht mund të sakrifikohet, për shkak të temave të tjera “më madhore”. Përderisa siguria është një ndër temat më të diskutuara në hapësira publike, pyetja që duhet të parashtrohet është se për sigurinë e kujt po flasim. Padyshim, siguria për të cilët flitet në hapësira dhe diskutime publike është ajo e njohur historikisht, pra siguria e burrave. Prandaj nuk mjaftojnë vetëm ndërhyrja (që në shumicën e rasteve janë vetëm kozmetike) në sektorin e sigurisë, por na duhet ridefinimi i sigurisë – ku maskuliniteti nuk është në epiqendrën e saj. Siç thekson edhe Veena Das, përkufizimi i dhunës dhe sigurisë i referohet koalicionit midis burrave, i cili nuk ka të bëjë me garantimin e sigurisë së grave, por me mbrojtjen e koalicionit midis burrave. Dhe si shembull, përderisa përdhunimi ndaj grave trajtohet si krim në sistemin gjyqësor, përdhunimet në martesë as që njihen si krim.
Mungesa e sigurisë dhe femicidi janë çështje politike të grave, duke vazhduar të jetë kërcënimi më i madh për gratë. Sipas një raporti të QKSS-së, gjatë vitit 2022 gjithsej 2,069 raste të dhunës në baza gjinore janë raportuar në policinë e Kosovës, ku 85% e këtyre rasteve të dhunës janë ushtruar ndaj grave.
Dorjeta Rukiqi, hulumtuese në Programin “Gjinia, Paqja dhe Siguria,” në QKKS e cila ka organizuar takimet të shumta me institucionet e sigurisë në Kosovë për luftimin e dhunës në familje ka treguar që problemi më i madh në këto institucione është që nuk ka ndjeshmëri gjinore, mungon komunikimi në mes të mekanizmave për luftimin e dhunës në familje dhe në shumicën e rasteve shihet që përmes diskursit edhe arsyetohet dhuna në familje – gjë që tregon për dominimin patriarkal në këto institucione.
“Gjatë takimeve është parë që shumica e rasteve të dhunës në familje bllokohen në prokurori ose prokuroria i liron nga akuzat dhunuesit. Por ka edhe raste kur gratë tërheqin akuzën ndaj burrave të tyre dhunues. Në anën tjetër, gratë kanë treguar që kanë tërhequr akuzat për shkak të presionit të familjeve, varësisë ekonomike por edhe pamundësisë së kthimit tek familja e tyre për shkak të paragjykimeve. Ndërsa për rastet e femicidit, kemi parë që institucionet e policisë e arsyetojnë vetën duke thënë që i kanë respektuar të gjitha procedurat për mbrojtjen e viktimës, por që nuk kanë mundësi me qenë 24 orë me personin që ka urdhër mbrojtës. Për më tepër, nuk ofrohen mekanizmat tjerë për mbrojtjen e viktimës, ku edhe strehimoret ballafaqohen me probleme të mëdha të paqëndrueshmërisë financiare,’’ theksoi Dorjeta Rukiqi.
Një gjë që dihet më mirë se çdo gjë tjetër në Kosovë është se pothuajse të gjitha vrasjet e grave në Kosovë janë të paralajmëruar; pra, pothuajse të gjitha vrasjet e grave në Kosovë kanë qenë të raportuara dhe të neglizhuara nga autoritetet. Janë neglizhuar sepse gratë ende vazhdojë të përjashtohen nga përkufizimi i sigurisë që është i dominuar nga burrat dhe që i referohet vetëm sigurisë së burrave.
Përderisa gratë kërcënohen me jetën e tyre, femicidi ende nuk trajtohet si emergjencë kombëtare, dhe aq më pak nga institucionet e sigurisë. Pra nga institucionet që më së miri do të duhej të ishin të informuara me këtë problem. Në anën tjetër, përderisa femicidi është problem kryesor në vendin tonë, ajo arrin të bëhet pjesë e diskutimeve publike vetëm pas presionit që vjen nga lëvizjet feministe. Kjo tregon se si gratë janë të përjashtuara nga sistemi i sigurisë, nga mënyra se si konceptohet dhe kuptohet vetë siguria. Dhe kjo rrjedhimisht tregon që gratë janë të përjashtuara nga të drejtat e tyre qytetare.
Prandaj edhe një herë, nuk ka asgjë më të rëndësishme dhe me më prioritet se sa parandalimi dhe luftimi i femicidit në Kosovë. Nëse parandalimin e femicidit nuk e trajtojmë si problem parësor që duhet të luftohet përmes të gjithë mekanizmave shtetërore, atëherë vrasjet dhe dhuna do të jetë një fat që pret çdo grua.
Dhe së fundi për mbyllje, të gjithë duhet të mendojmë pyetjen që e ngrit Cynthia Enloe, se si ne gratë u bindëm që barazinë sociale, ekonomike, politike dhe mbi gjitha sigurinë tonë të lejojmë të trajtohet si një çështje pa prioritet në politika shtetërore.