23/01/2025
Vendimi i Kosovës për të mandatuar euron si monedhën e vetme për transaksionet me para të gatshme nga shkurti i vitit 2024 ka shkaktuar tensione dhe mosbesim, veçanërisht për komunitetin që mbështeten në dinarët serbë. Departamenti i shtetit Amerikan është shprehur: “Këto veprime nuk janë në përputhje me përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të adresuar në mënyrë konstruktive çështjet që prekin komunitetin e pakicës serbe në Kosovë përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.” Situata e destabilizuar ka përshkallëzuar tensionet, duke përfshirë sulmin në Banjskë dhe shpërthimin në kanalin Iber Lepenc. Autoritetet e Kosovës, me mbështetjen e akterëve ndërkombëtarë si KFOR-i dhe EULEX-i, kanë punuar për të menaxhuar këto incidente që pasqyrojnë sfidat dhe tensionet e vazhdueshme të sigurisë në rajon. Këto ngjarje kanë bërë edhe më të komplikuar procesin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.
NATO është një aleancë e vendeve nga Evropa dhe Amerika e Veriut. Ai siguron një lidhje unike midis këtyre dy kontinenteve, duke u mundësuar atyre të konsultohen dhe të bashkëpunojnë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë dhe të kryejnë së bashku operacione shumëkombëshe të menaxhimit të krizave.
NATO përbëhet nga 32 shtete anëtare. Këto shtete kanë krijuar një angazhim kolektiv për mbrojtjen dhe sigurinë reciproke, duke nxitur bashkëpunimin në sferat ushtarake, politike dhe strategjike.
Neni 10 i Traktatit të Uashingtonit përcakton kushtet për zgjerim, duke deklaruar se anëtarësimi është i hapur për çdo "shtet evropian i cili synon për të çuar përpara parimet e këtij traktati dhe për të kontribuar në sigurinë e zonës së Atlantikut të Veriut”.
Anëtarësimi i Kosovës është një hap thelbësor pasi ai ofron një garanci të fortë kundër shkeljes së demokracisë dhe cenimit të integritetit territorial. Përmes anëtarësimit në NATO, ne mund të sigurojnë mbrojtje dhe stabilitet, duke u fokusuar në zhvillimin e fushave të tjera si ekonomia, arsimi dhe sektorë të tjerë kyç për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe avancimin e shoqërisë tonë. Kjo krijon mundësi për avancimin në drejtime të tjera, duke kontribuar në një të ardhme më të sigurt dhe të qëndrueshme.
Kriteret për anëtarësim janë:
-Çështjet politike dhe ekonomike – Aspirantët duhet të angazhohen për promovimin e demokracisë dhe respektimin e parimeve ndërkombëtare, duke shmangur çdo përdorim të forcës apo kërcënime. Konfliktet duhet të zgjidhen në mënyrë paqësore, në përputhje me qëllimet e Kombeve të Bashkuara dhe parimet e OSBE-së. Përveç kësaj, ata duhet të përkushtohen ndaj krijimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe të tregojnë angazhim ndaj lirisë ekonomike.
-Çështjet e mbrojtjes/ushtarake – NATO është e përkushtuar ndaj parimit që një sulm kundër një ose disa prej anëtarëve të saj konsiderohet si një sulm kundër të gjithëve. Vendet aspirante duhet të kontribuojnë ushtarakisht në mbrojtjen kolektive dhe misionet e NATO-s, duke përmirësuar aftësitë e tyre graduale dhe duke siguruar bashkëpunim politik dhe ushtarak më të thellë përmes Partneritetit për Paqe (PfP). Ata duhet të pranojnë strategjinë e Aleancës dhe të angazhohen në detyrimet e përbashkëta të mbrojtjes dhe sigurisë.
-Çështjet e burimeve – Vendet aspirante duhet të angazhojnë burime të mjaftueshme për të përmbushur detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi në NATO. Kjo përfshin planifikimin dhe zbatimin e buxheteve të mbrojtjes në përputhje me prioritetet e Aleancës, si dhe pjesëmarrjen aktive në aktivitete me fonde të përbashkëta dhe në strukturat e saj.
-Çështjet e sigurisë – Vendet aspirante duhet të kenë masa dhe procedura të mjaftueshme për të siguruar mbrojtjen e informacionit më të ndjeshëm, në përputhje me politikat e sigurisë së NATO-s.
-Çështjet ligjore – Vendet aspirante duhet të shqyrtojnë dhe përshtatin legjislacionin e tyre kombëtar për të qenë në përputhje me marrëveshjet dhe rregullat e NATO-s. Ato duhet të njihen me procesin formal ligjor për anëtarësim dhe të jenë të gatshme të pranojnë marrëveshjet si Traktati i Atlantikut të Veriut (1949), marrëveshjet për statusin e forcave dhe strukturave ndërkombëtare (London SOFA, Paris Protocol), marrëveshjet për statusin e përfaqësuesve dhe stafit ndërkombëtar (Ottawa Agreement, Brussels Agreement) marrëveshjet teknike për sigurinë e informacionit dhe shpikjet mbrojtëse. Për qasje në informacion bërthamor (ATOMAL), aspirantët duhet të pranojnë marrëveshje specifike për bashkëpunim bërthamor.
Kriteri më i vështirë për t'u përmbushur është arritja e një marrëveshjeje me Serbinë, pasi përbën çështjen kryesore dhe më të ndërlikuar, duke pasur parasysh situatën e brendshme në Serbi dhe faktorët politikë. Ekzistojnë protesta dhe pakënaqësi të brendshme në Serbi kundër politikës së Vucic dhe të tjerë liderëve serbë dhe kjo mund të ndikojnë negativisht në procesin e arritjes së një marrëveshjeje. Vucic shpesh përdor qëndrimin e ashpër ndaj Kosovës për të ruajtur mbështetje nga nacionalistët dhe elektoratin e tij të brendshëm, gjë që e bën më të vështirë arritjen e kompromisit përfundimtarë.
Kosova ka bashkëpunuar me shtetet anëtare të NATO-së, FSK ka marrë trajnime të ndryshme, duke përgatitur ushtrinë për menaxhimin e krizave, veçanërisht atyre natyrore. Megjithatë, pjesëmarrja e Kosovës në NATO mbetet e pamundur pa zgjidhur tensionet me Serbinë. Prandaj, është e nevojshme të punojmë drejt një marrëveshjeje që mund të çojë në paqe mes Kosovës dhe Serbisë. Nëse arrihet ky kompromis mund të heq një sfidë, nga shtetet anëtare të NATO-s, të cilat janë të lidhura ngushtë me Serbinë si Rusia, Spanja, Rumania, Sllovakia dhe mund të mos shkaktojnë probleme në anëtarësimin tonë. Ndryshimet gjeopolitike aktuale, përfshirë mundësinë e një kompromisi për ndalimin e luftës në Ukrainë, mund të krijojnë mundësi për të avancuar marrëdhëniet me aleatët tanë, veçanërisht me SHBA-në, dhe për të përshpejtuar rrugën drejt anëtarësimit në NATO.
Diplomatët një shteti janë të domosdoshëm për forcimin dhe ruajtjen e marrëdhënieve diplomatike. Qeverisë së Kosovës i duhet të rrisë angazhimin në diplomaci dhe të dërgojë më shumë diplomat jashtë vendit për të forcuar marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë. Në kontekstin e dialogut me Serbinë, marrëdhëniet ndërkombëtare janë të nevojshme për të ndërmjetësuar dhe për të ndihmuar në arritjen e kompromiseve të duhur, duke promovuar demokracinë dhe vlerat e shteteve demokratike. Ushtria e Kosovës është e përgatitur për misione që i përmbahen standardeve të shteteve anëtare të NATO-s, çka e bën atë të aftë për bashkëpunime ndërkombëtare. Një shembull i tillë është misioni i fundit në Kuvajt, ku FSK shërbeu përkrah trupave amerikanë. Në vazhdim, Kosova do të dërgojë njësitë për misione gjashtëmujore, pas kërkesës nga Komanda Qendrore e SHBA-së, dhe trupat e FSK-së do të jenë nën komandën e Gardës Kombëtare të Iowa-s.Si përfundim, realizimi i investimeve të reja në diplomacinë shtetërore dhe përmirësimin e kushteve për ushtarët është një hap i rëndësishëm që do të kontribuojë pozitivisht në avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO.
Vesa Shatri është studente në vitin e dytë të studimeve të sigurisë në UBT, me fokus në sigurinë kombëtare dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Ajo është përfaqësuese e studentëve të studimeve të sigurisë. Aktualisht, Vesa ka filluar praktikën e saj në Qendrën e Kosovës për Studime të Sigurisë, ku synon të zhvillohet profesionalisht dhe të japë kontribut në fushën e sigurisë.