Rëndësia strategjike e Ibër-Lepenc si infrastrukturë kritike në Republikën e Kosovës

13/03/2025

Rëndësia strategjike e Ibër-Lepenc si infrastrukturë kritike në Republikën e Kosovës
PUBLISHED BY

Kosovar Centre for Security Studies (KCSS)

Supported by

Kosovar Centre for Security Studies (KCSS)

AUTHORS

Vesa Shatri

Download

Sulmi terrorist i datës 29 nëntor 2024 në kanalin e ujit ne fshatin Varagë, Komuna e Zubin Potokut, shërben si një paralajmërim i qartë për rreziqet që i kanosen Ibër-Lepenc dhe, rrjedhimisht, stabilitetit të furnizimit me ujë dhe energji në mbarë Kosovën. Goditja ndodhi në orët e mbrëmjes, duke shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturën kryesore dhe ndërprerje të menjëhershme të rrjedhës së ujit nga diga e Pridvoricës. Për pasojë, uji i papërpunuar nuk arriti tek konsumatorë të rëndësishëm, përfshirë ujësjellësit e Mitrovicës, Vushtrrisë, Prishtinës dhe Gllogocit, si dhe kompleksi industrial i Feronikelit. Fatmirësisht, Termocentrali “Kosova B” mbeti i furnizuar, falë menaxhimit strategjik të rezervave përgjatë kanalit kryesor.

Reagimi i ekipit drejtues dhe atij teknik të Ibër-Lepenc ishte i shpejtë dhe i koordinuar. Menjëherë pas konstatimit të dëmeve, filluan ndërhyrjet emergjente për riparimin e strukturës së dëmtuar. Gjatë orëve të vona të natës dhe në mëngjesin e 30 nëntorit, filloi rikthimi i rrjedhës së ujit, fillimisht me kapacitet të kufizuar, për t’u normalizuar plotësisht brenda 24 orëve nga sulmi. Kjo qasje e shpejtë parandaloi një krizë të thellë humanitare e ekonomike, por episodi nënvizoi qartë se, përkundër rëndësisë strategjike, Ibër-Lepenc nuk është ende pjesë e regjistrit shtetëror të infrastrukturës kritike. Mungesa e këtij statusi zyrtar e bën ndërmarrjen më të ekspozuar ndaj kërcënimeve potenciale, qoftë ato terroriste apo natyrore.

Një nga mësimet kryesore të këtij incidenti është se masat e mbrojtjes dhe planet emergjente duhet të jenë po aq gjithëpërfshirëse sa roli i Ibër-Lepenc në ekonomi dhe shoqëri. Investimet në sisteme monitorimi, alarmi dhe komunikimi të avancuar mund të rrisin ndjeshëm gatishmërinë për t’iu përgjigjur me efikasitet çdolloj emergjence. Po ashtu, bashkëpunimi ndërinstitucional, qoftë me forcat e rendit apo agjenci tjera shtetërore, duhet të intensifikohet, në mënyrë që reagimi ndaj krizave të jetë i shpejtë dhe i strukturuar.

Në një kohë kur siguria e burimeve natyrore po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme në nivel global, rasti i Ibër-Lepenc nxjerr në pah domosdoshmërinë e vendosjes së saj në qendër të politikave publike për mbrojtjen e infrastrukturës kritike. Përtej dimensionit të reagimit ndaj emergjencave, nevojitet edhe një analizë e thellë e risqeve afatgjata. Këtu përfshihet integrimi i praktikave të qëndrueshmërisë mjedisore, përmirësimi i kushteve fizike të digave dhe kanaleve, si dhe zbatimi i protokolleve të detajuara për sigurinë kibernetike e fizike.

Në përmbyllje, Ibër-Lepenc nuk është thjesht një pikë qendrore e menaxhimit të ujit dhe prodhimit të energjisë, por një hallkë kyçe në zinxhirin e zhvillimit të Kosovës. Një sulm apo dështim në këtë sektor rezonon në të gjitha fushat: nga furnizimi me ujë i popullatës, te industria dhe bujqësia, e deri te stabiliteti i rrjetit energjetik. Prandaj, përfshirja e Ibër-Lepenc në listën e infrastrukturës kritike, zhvillimi i planeve afatgjata të menaxhimit të krizave dhe intensifikimi i bashkëpunimit institucional do të ishin hapa vendimtarë. Vetëm përmes këtyre strategjive, Kosova mund të sigurojë që kjo ndërmarrje jetike të mbetet e paprekshme ndaj kërcënimeve, duke vazhduar të shërbejë si bazament i zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies shoqërore.