PRONËSI NDËRKOMBËTARE APO LOKALE? ZHVILIMI I SEKTORIT TË SIGURISË NË KOSOVËN E PAS-PAVARËSISË

10/10/2018

PRONËSI NDËRKOMBËTARE APO LOKALE? ZHVILIMI I SEKTORIT TË SIGURISË NË KOSOVËN E PAS-PAVARËSISË
PUBLISHED BY

KCSS

AUTHORS

Dr Florian Qehaja

Download

Pronësia lokale është vënë përballë RSS-së sepse koncepti saj, ndonëse në nivel të politikave, ka rrjedhur nga RSS. Sidoqoftë, kufizimi i konceptit vetëm në RSS është i pamjaftueshëm për analizën e saj shkencore duke marrë parasysh teoritë e tjera relevante, siç është teoria e shtet-ndërtimit. Së këndejmi, ky hulumtim i ka dhënë prioritet teorisë së shtet-ndërtimit përmes testimit të pronësisë lokale në kuadër të normave siç janë besimi dhe legjitimiteti. Në mënyrë të veçantë, pronësia lokale është analizuar në kontekstin e ligjshmërisë, ku vetëvendosja paraqet njërin prej parimeve më të përshtatshme. Libri e kontekstualizon pronësinë lokale brenda kornizës së marrëdhënieve ndërmjet bashkësisë ndërkombëtare dhe aktorëve lokalë në Kosovë duke përcaktuar këtë marrëdhënie në kontekst të nyjës ndërkombëtarë - vendorë. Prandaj, ky hulumtim nuk ishte në gjendje të ekzaminojë ndarazi rolin e aktorëve në procesin e zhvillimit të sektorit të sigurisë.

Këto marrëdhënie komplekse paraqesin një dobësi që pengon zbatimin e pronësisë lokale. Komponenti i përgjithshëm ishte kontekstualizimi i “politikës së lartë” dhe implikimet e saj në zbatueshmërinë dhe respektimin e pronësisë lokale.

Bashkësia ndërkombëtare është gjetur të jetë obsesive lidhur me përgjegjësinë e saj në siguri - e fokusuar më shumë në një stabilitet të tepruar - duke e pasur këtë si veglën e vet thelbësore. Kjo e ka rrezikuar përfshirjen e vendorëve në procesin e shtet-ndërtimit deri në atë masë sa e tjetërsoi popullsinë dhe profesionistët lokalë. Ky libër ka përdorur shembuj konkret empirikë për të sqaruar shkallën e ndërhyrjes ndërkombëtare në sektorin e sigurisë së Kosovës. Fillimisht, pjesa empirike e librit i sqaron në aspektin kontekstual elementet kyçe që shënojnë intervenimin e bashkësisë ndërkombëtare në dëm të pronësisë lokale. Kjo ka qenë tepër e pranishme gjatë periudhës së administrimit ndërkombëtar të Kosovës, nga viti 1999 deri në 2008.

Kapitulli tjetër e identifikon marrëdhënien e tendosur ndërmjet bashkësisë ndërkombëtare dhe aktorëve lokalë rreth një numri vendimesh në periudhën pas pavarësisë. Këtu, referencë e veçantë i është kushtuar krijimit të forcave të armatosura dhe nivelit të mosbesimit të identifikuar, si përmes matjeve cilësore ashtu edhe atyre sasiore. Analiza futet edhe më thellë duke shqyrtuar tri raste specifike që e sfidojnëpronësinë lokale në Kosovë: procesi i hartimit të strategjisë së sigurisë; krijimi “nga lart poshtë” i këshillave për siguri në bashkësi; dhe tejprioritizimi i incidenteve ndëretnike.

Rasti i Kosovës ka dëshmuar të jetë shumë i rëndësishëm në ekzaminimin e shkallës së përfshirjes ndërkombëtare. Roli tepër i madh i bashkësisë ndërkombëtare, e cila nuk ka një strategji të qartë dalëse, ka bërë që politikat e imponuara nga jashtë të refuzohen nga faktorët lokalë, duke mos gjetur aplikim në kontekstin e Kosovës. Ky nivel i përfshirjes së bashkësisë ndërkombëtare e ka ndarë politikën e sigurisë prej realitetit lokal, duke e çuar atë në fragmentim dhe qëndrueshmëri të kufizuar.

Ky libër është bazuar në masë të madhe në disertacionin e doktoratës të mbrojtur me 14 shkurt 2016 në Fakultetin e Shkencave Shoqërore (Departamenti i Mbrojtjes), në Universitetin e Lubjanës. Për më tepër, libri pasqyron mbi dhjetë vite përvojë të autorit në hulumtimin dhe monitorimin e sektorit të sigurisë në Kosovë.

Verzioni origjinal i këtij libri është në gjuhën angleze.