Russia's expanding playbook: Kosovo - Ukraine Connection

17/12/2025

Arsenali në rritje i veprimeve të Rusisë: Lidhje Kosovë - Ukrainë
PUBLISHED BY

Kosovar Centre for Security Studies (KCSS)

Supported by

Konrad-Adenauer-Stiftung

AUTHORS

Adelina Hasani, Vadym Chernysh, Viktoriia Voronina

Download

Si aktor politik në Evropë, qëllim i kamotshëm i Rusisë ka qenë të krijojë ndikim përtej kufijve të saj të menjëhershëm, në mënyrë që të projektojë pozitë me pushtet dhe të sfidojë komunitetin euroatlantik. Një nga partnerët më të afërt në këtë përpjekje është Serbia, ku interesat e disa elitave politike përputhen me ato të Kremlinit.

Në vend se të mbështetet kryesisht në operacione tradicionale ushtarake, forca e Rusisë qëndron në përdorimin e gjerë të instrumenteve jo-ushtarake, shpesh të përshkruara si luftë hibride. Këto përfshijnë operacione kibernetike, fushata dezinformimi, ndikim politik, presion ekonomik dhe mbështetje për aktorë të ndërmjetëm. Moska zotëron një gamë të gjerë të ashtuquajturave “masa nën pragun e luftës”, të cilat i përdor në mënyrë aktive dhe është e gatshme t’i ndajë me aleatët e saj, në ndjekje të objektivave strategjike dhe ambicieve politike të partnerëve.

Serbia, nga ana e saj, e percepton Rusinë si një aleat të fuqishëm dhe me përvojë, dhe mbetet i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë pas pushtimit të paprovokuar dhe në shkallë të plotë të Ukrainës. Për më tepër, Rusia ka forcuar praninë e saj në rajon duke u përfshirë më tej në mosmarrëveshjet e pazgjidhura, veçanërisht në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë. Përmes këtij angazhimi, Rusia zgjeron ndikimin e saj politik në Ballkanin Perëndimor, duke i paraqitur këto konflikte si pjesë e një lufte më të gjerë kundër “Perëndimit” dhe vlerave të tij liberal-demokratike. Kjo strategji shërben gjithashtu si një mjet diversioni për Kremlinin: duke nxitur tensione në Ballkanin Perëndimor, Rusia zhvendos vëmendjen ndërkombëtare nga lufta e saj e vazhdueshme e agresionit kundër Ukrainës.

Ndonëse pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës filloi në vitin 2022, lufta ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës në fakt nisi në vitin 2014 me aneksimin e paligjshëm të Krimesë nga Rusia. Në atë kohë, lufta hibride e Rusisë tashmë ishte në zhvillim e sipër, veçanërisht përmes manipulimit mediatik.

Lufta hibride ka qenë një taktikë qendrore e Rusisë, e orientuar drejt identifikimit dhe shfrytëzimit të cenueshmërive shoqërore për të zgjeruar ndikimin e saj të dëmshëm dhe për të destabilizuar vendet e synuara. Rusia ka shfrytëzuar popullatat rusisht-folëse, diplomacinë publike dhe fenë për të formësuar perceptimin publik dhe për të mëtuar kontroll. Këto mjete kanë amplifikuar ndasitë gjuhësore dhe kulturore brenda shoqërisë ukrainase, duke forcuar fragmentimin e brendshëm dhe duke minuar kohezionin shtetëror.

Të njëjtat narrativa propagandistike të përdorura kundër Ukrainës po aplikohen tani edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë, për të avancuar interesat strategjike të Rusisë në rajon. Këto narrativa synojnë të promovojnë një ideologji alternative kundrejt aleancave perëndimore, shpesh duke i paraqitur Kosovën dhe Bosnjën e Hercegovinën si dështime të politikave perëndimore. Të projektuara nga Kremlini dhe të amplifikuara nga Serbia, këto narrativa nxjerrin paralele të qarta me mesazhet e përdorura kundër Ukrainës, duke i vendosur këto shtete në një diskurs të ngjashëm të “shteteve të dështuara.”

Ky raport shqyrton strategjitë, qasjet dhe metodat që Rusia ka përdorur në Ukrainë si pjesë e luftës hibride dhe mënyrën se si këto mjete po përshtaten ose po amplifikohen në Ballkanin Perëndimor. Duke analizuar këto dinamika, synojmë të nxjerrim në pah mekanizmat përmes të cilëve Rusia ushtron ndikim në rajon dhe implikimet e mundshme për sigurinë rajonale dhe stabilitetin euroatlantik.

The views expressed in this publication are those of the authors and do not necessarily reflect the positions of the Konrad-Adenauer-Stiftung. This publication is for informational purposes and may not be used by political parties or by candidates and their supporters for electoral campaign purposes.