Perceptimet publike për Besimin, Korrupsionin dhe Integritetin e Institucioneve Publike në Kosovë

21/12/2022

Perceptimet publike për Besimin, Korrupsionin dhe Integritetin e Institucioneve Publike në Kosovë
E PUBLIKUAR NGA

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë

Mbështetur nga

National Endowment for Democracy (NED)

AUTORË

Plator Avdiu

Shkarko

Institucionet e sigurisë në Kosovë vazhdojnë ta ruajnë, e në disa raste madje po e rrisin besueshmërinë e tyre tek qytetarët, duke rezultuar si institucionet më të besueshme në krahasim me sektorët e tjerë. Forca e Sigurisë së Kosovës është institucioni më i besueshëm nga 83 për qind e të anketuarve, e ndjekur nga Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave me 73 për qind dhe Policia e Kosovës, të cilës i besojnë 72 për qind e të anketuarve. Ndërsa, dy institucione të tjera të sigurisë kanë shënuar rritje domethënëse në vitin 2022: rreth 60 për qind e të anketuarve kanë besim në Inspektoratin Policor të Kosovës dhe 51 për qind në Agjencisë e Kosovës për Inteligjencë. Kjo është hera e parë që të dy institucionet gëzojnë besueshmëri prej më shumë se 50 për qind e të anketuarve. Presidentja e Kosovës me 59 për qind dhe komunat me 55 për qind janë renditur si më të besueshmet sa i përket institucioneve qendrore dhe lokale, të pasuara nga Dogana e Kosovës me 46 për qind.

Përkundrazi, trendi i besimit në institucionet e sektorit të drejtësisë – Gjykatat dhe Prokuroria – është mjaft negativ dhe ka mbetur i pandryshuar në krahasim me vitet e mëparshme. Në vitin 2022, vetëm 30 për qind e qytetarëve deklaruan se kishin besim në këto dy institucione. Institucioni më pak i besueshëm nga lista e institucioneve shtetërore është Kuvendi i Kosovës me 25 për qind, i ndjekur nga Qeveria e Kosovës me 33 për qind besueshmëri. Të dy këto institucione qendrore kanë shënuar rënie të besueshmërisë në vitin 2022 krahasuar me vitin 2021. Sa i përket institucioneve joshtetërore të Kosovës, më të besueshmit janë bashkësitë fetare me 60 për qind dhe organizatat joqeveritare me 40 për qind besueshmëri. Sidoqoftë, është shqetësuese që perceptimet më negative të të anketuarve janë për mediat dhe partitë politike – rreth 23 për qind e të anketuarve u besojnë mediave dhe vetëm 12 për qind partive politike – duke u dëshmuar se janë institucionet më pak të besueshme në vitin 2022.

Sipas këndvështrimit të të anketuarve, siguria kombëtare e Kosovës sfidohet dukshëm nga krimi i organizuar dhe korrupsioni. 82 për qind përmendën krimin e organizuar dhe 80 për qind përmendën korrupsionin si dy fenomene që kërcënojnë sigurinë kombëtare dhe dëmtojnë sundimin e ligjit në Kosovë. Veç kësaj, të anketuarit nuk ishin të kënaqur as me performancën e Qeverisë së Kosovës në luftimin e korrupsionit apo krimit të organizuar, ndërsa vetëm 30 për qind e vlerësuan këtë të fundit si të mirë. Sidoqoftë, ka reagime pozitive në lidhje me raportimin e rasteve të korrupsionit, pasi 2/3 e të anketuarve – rreth 66 për qind – do ta raportonin tek institucionet përkatëse nëse do të ishin dëshmitarë të korrupsionit.

Bazuar në perceptimet e të anketuarve, praktikat e integritetit në administratën publike në Kosovë janë cenuar jashtëzakonisht shumë kur bëhet fjalë për punësimin në sektorin publik. Ka një shkallë të lartë skepticizmi marrë parasysh se 86 për qind e të anketuarve mendojnë se nëpunësit civilë në administratën publike janë të punësuar në bazë të nepotizmit (lidhjeve familjare), lidhjeve politike dhe ryshfetit ose korrupsionit, kundrejt vetëm 11 për qind që perceptojnë se janë të punësuar përmes sistremit të bazuar meritor dhe kualifikimeve. Të anketuarit priren të jenë më pak pesimistë në lidhje me proceset e rekrutimit në sektorin e sigurisë në krahasim me administratën publike, megjithatë sfidat mbeten. Rreth 42 për qind ndanë perceptimet se të punësuarit në institucione të sigurisë punësohen më shpesh bazuar në meritat dhe kualifikimet e kandidatëve, ndërsa rreth 54 për qind e të anketuarve mendojnë se janë të punësuar përmes nepotizmit, lidhjeve politike dhe ryshfetit apo korrupsionit.

Të dhënat e anketës për këtë raport janë mbledhur në kuadër të anketës së Barometrit të Sigurisë në Ballkanin Perëndimor (BSBP), përmes intervistave sy më sy me të anketuar të përzgjedhur rastësisht në mbarë Kosovën. BSBP është projekt rajonal i udhëhequr nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) dhe anketa është kryer njëkohësisht në Shqipëri dhe Serbi. Për zbatimin e këtij projekti, QKSS-ja është në partneritet me Qendrën për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG) në Shqipëri dhe Qendrën e Beogradit për Politikat e Sigurisë (BCSP) në Serbi.

Hulumtimi në terren u realizua nga 25 shtatori deri më 2 tetor 2022. Pyetësori i anketës përbëhej kryesisht nga pyetje të mbyllura në formë të shkallës Likert me pesë pikë, të pasuara nga disa pyetje të hapura pa opsione të paracaktuara. Mostra kombëtare për anketën përfshinte 1,136 amvisëri.

Të dhënat e paraqitura në këtë raport janë nga anketa e Barometrit të Sigurisë në Ballkanin Perëndimor (BSBP). BSBP është një nismë e re rajonale e iniciuar nga QKSS në vitin 2020, e cila zbatohet në bashkëpunim me Qendrën e Beogradit për Politikat e Sigurisë (BCSP) në Serbi dhe Qendrën për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG) në Shqipëri, me mbështetjen e National Endowment for Democracy (NED). BSBP shërben si një instrument për të matur perceptimet e publikut në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi për çështje të ndryshme lidhur me sigurinë. Të dhënat tregojnë se si qytetarët i perceptojnë apo informohen rreth çështjeve të paraqitura në këtë raport. Si të tilla, pikëpamjet e paraqitura në këtë raport nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e QKSS, BCSP, CSDG ose NED.