QKSS mbajti sot konferencën përmbyllëse të projektit rajonal Barometri i Sigurisë për Ballkanin Perëndimor

21/07/2022

QKSS mbajti sot konferencën përmbyllëse të projektit rajonal Barometri i Sigurisë për Ballkanin Perëndimor

Sot, me datën 21 Korrik 2022, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka organizuar konferencën përmbyllëse të Barometrit të Sigurisë të Ballkanit Perëndimor (BSBP) ku u përmbledhën perceptimet e qytetarëve të Kosovës, Serbisë dhe Shqipërisë mbi bashkëpunimin rajonal dhe marëdhëniet bilaterale në Ballkan Perëndimor.

Pas prezantimit të gjetjeve të BSBP, konferenca u pasua me një diskutim në panel me këta panelistë:

• Mentor Vrajolli, Drejtor Ekzekutiv, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë

• Arjan Dyrmishi, Drejtor Ekzekutiv, Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes

• Igor Bandovic, Drejtor, Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë

• Jeton Zulfaj, Këshilltar Politik i Kryeministrit të Kosovës Z. Albin Kurti

• Milica Andric-Rakic, Menaxhere e Projektit, Iniciativa e Re Sociale

• Ardit Orana, Hulumtues, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë​

 

Në kuadër të diskutimit, panelistët shprehën nevojën për rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor. Në takim u fol edhe për rritjen e përfaqësimit nga ana e Kosovës në nismat rajonale dhe nevojën për dialog më konstruktiv në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Pjesëmarrësit cilësuan gjetjet e BSBP si shumë të nevojshme dhe si bazë për tu marrë parasysh nga Qeveria në procese të vendimmarrjes. 

Për më tepër, gjatë diskutimeve në panel u theksua që zgjatja e procesit të antarësimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE po krijon hapësirë për ndikim negativ të fuqive të tjera në rajon. Panelistët shprehën se bashkëpunimi rajonal duhet shfyrtëzuar nga vendet e rajonit si një mekanizëm transformues për të mbështetur marëdhëniet bilaterale në rajon. Për fund, gjatë diskutimeve u shpreh nevoja e avansimit të të drejtave të komuniteteve joshumicë në Kosovë dhe Serbi, bashkëpunim më të mirë ndërinstitucional, dhe përfshirje më të gjerë të shoqërisë civile në nxitje të bashkëpunimit rajonal.

Ky aktivitet u organizua në kuadër të projektit “Barometri i Sigurisë i Ballkanit Perëndimor”. BSBP që shërben si një instrument për të matur perceptimet e qytetarëve të Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë për çështje të ndryshme të lidhura me sigurinë, sundimin e ligjit, drejtësinë, bashkëpunimin rajonal dhe ndërtimin e paqes. Ky projekt rajonal udhëhiqet nga QKSS me mbështetjen financiare të National Endowment for Democracy (NED).